Studentët në pandemi; të stresuar dhe në vështirësi ekonomike

Ndërsa masat parandaluese ndaj COVID-19, kanë mbyllur aulat e universiteteve dhe i kanë transferuar leksionet online, një sondazh i kryer nga Lëvizja për Universitetin zbulon se shumica e studentëve në vend janë të stresuar nga ngarkesa akademike dhe në vështirësi ekonomike si pasojë e epidemisë së koronavirusit të ri.

Pak ma shumë se 50% të studentëve të anketuar shprehen që ndjehen të stresuar, 28% deklarojnë se kanë vështirësi ekonomike, dhe rreth 8 % vazhdojnë të punojnë në kushte të pandemisë.

Studentët janë ankuar gjithashtu për mësimin në distancë, për të cilin 60 % të anketuarve shprehen se është i papërshtatshëm. Rreth 4% e studentëve nuk kanë akses në internet për të ndjekur mësimin online dhe rreth 45% e ndjekin me vështirësi, pasi 70% e atyre që e ndjekin e bëjnë këtë përmes celularit.

“Duke qenë se situata e COVID-19 nisi kur sapo kishim filluar semestrin e dytë, shumë prej nesh nuk kishim arritur as të blinin librat,” tha Ariela Zeneli, aktiviste e Lëvizjes për Universitetin dhe studente e degës së Shkencave Politike.

“Tani pedagogët na i dërgojnë online të skanuara, por shumë prej këtyre teksteve është vështirë të lexohen me skanim,” shtoi ajo.

Lëvizja Për Universitetin ka si qëllim aktivizimin rinor për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë. Ajo përbëhet prej një grupi studentësh dhe pedagogësh në mbrojtje të arsimit gjithëpërfshirës dhe cilësor.

Lëvizja e filloi aktivitetin e saj në vitin 2014, fill pas krijimit të një komisioni për hartimin e reformës së Ligjit të Arsimit të Lartë, që sipas i jep mundësi subvencionimit të universiteteve private me para publike. Që prej kësaj date, lëvizja Për Universitet ka mbajtur disa protesta dhe aksione kundër reformës së arsimit të lartë të miratuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Gjetjet e sondazhit ku morën pjesë 1570 studentë, bien ndesh me deklaratat zyrtare të Ministrisë së Arsimit mbi suksesin e mësimit në distancë për universitetet.

“Jemi befasuar për mirë nga kalimi nga klasa në mësimin online,” është shprehur ministrja Besa Shahini, në një intervistë në media.

“Do të shohim se cili është efekti i mësimit “online” pasi na duhet jo vetëm për tani, por edhe për procesin e digjitalizimit të arsimit në Shqipëri,” shtoi ajo.

Sipas sondazhit vetëm 28% e studentëve i konsiderojnë të përshtatshme video-takimet sipas orarit mësimor, ndërkohë qe 24% e tyre janë dakordësuar me pedagogët për mënyrat e zhvillimit të mësimit.

Nëpërmjet përgjigjeve të tyre, pjesa më e madhe e studentëve janë shprehur se metoda më e përshtatshme e mësimdhënies online është ajo e dërgimit të leksioneve përmes videove dhe audiove të regjistruara.

“Një kërkesë e studentëve është edhe që leksionet të regjistrohen dhe të ngarkohen online, në mënyrë që gjithkush të mund t’i aksesojë kur t’i jepet mundësia në kushtet e shtëpisë, duke evituar kështu dhe mungesat që marrin ndonjëherë pedagogët”, u shpreh aktivistja Zeneli bazuar në përgjigjet e sondazheve të kryera.

Sipas Lëvizjes për Universitetin vlerësimet e performancës së studentëve pedagogët i bëjnë nëpërmjet testimeve apo detyrave me pikë të paracaktuara, dhe se të shumica e studentëve po mundohen të dakortësojnë me pedagogët mbi mënyrën më të mirë për mbarëvajtjen e studimit virtual.

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *