Nga kjo javë do të nisë riatdhesimi për të gjitha ata persona që duan të kthehen në atdhe, por ka dy kushte: e para, duhet ta prenotojnë vetë biletën e avionit dhe e dyta duhet të zgjedhin një nga hotelet ku do të vetëkarantinohen për 14 ditë me shpenzimet e tyre.
“Nesër do të bëjmë publike modalitetet dhe të shtunën e ardhshme do të nisin fluturimet, fillimisht nga Roma. Kush dëshiron të riatdhesohet do të prenotojë avionin, bashkë me hotelin përkatës në zinxhirin e hoteleve të vëna në dispozicion si struktura karantinë. Për më shumë, do të jepen nesër të gjitha shpjegimet nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila drejton grupin ndërministror të punës për këtë proces sa të nevojshëm, aq edhe delikat”, tha Rama në një deklaratë nga profili i tij në Facebook.