Në komunikimin e sotëm në media, zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli dhe Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino, treguan se janë testuar 457 raste dhe në total në vendin tonë ka 33 raste pozitive me COVID-19. Në njoftimin e tyre vihet re se harta me personat e prekur është zgjeruar edhe me qytetin e Fierit, ndërkohë që ekspertet bëjnë me dije se 8 prej të prekurve ndodhen në spitalin Infektiv, ndërsa 25 të tjerë janë vetizoluar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Më tej rastet janë përcaktuar.
Tiranë 19 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnjë 1 rast
Elbasan 2 raste
Fier 4 raste
Rrogozhinë 2 raste.
Gjithashtu në njoftim, ekspertet shpjeguan se po vijon gjurmimi dhe testimi i mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal të Durrësit.
“Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit. Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetë karantinuar. Dua t’ju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Të kufizojmë rrezikun sa më shumë të jetë e mundur!,” është shprehur Silva Bino.
Ndër të tjera ajo, theksoi se tani që OBSH e ka shpallur koronavirusin një pandemi, masat duhet të merren më seriozisht.