Shqiptarët festuan në shtëpi Vitin e Ri. Agjencitë turistike vazhdojnë të vuajnë goditjen

Shqiptarët, ashtu si shumica e qytetarëve të botës nuk kanë mundur të udhëtojnë për festat e fundvitit, me gjithë dëshirën e madhe për të zhveshur petkun e mërzitisë dhe ankthit që veshi 2020-ta.

Të dhënat krahasuese që ofrojnë agjencitë dhe operatorët turistikë tregojnë lëizjet e shqiptarëve jashtë për festat e fundvitit janë indiferente krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Nëse gjatë festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri një vit më parë kanë udhëtuar me agjenci 80 mijë veta e prej tyre përmes operatorëve turistikë kanë udhëtuar 15 mijë syresh, këtë fundvit udhëtuan vetëm 200 persona. Shifër e pakonsiderueshme”- thotë Besnik Vathi nga ATHS.

Kjo për shkak se destinacionet ku mund të udhëtojnë shqiptarët janë tejet të kufizuara për shkak të shtrëngimeve në udhëtim që kanë urdhëruar qeveritë anembanë botës që të kontrollojnë përhapjen e COVID-19.

Nga Global Travel i thanë gazetës “Si” se patën klientë të tyre këtë fundvit që lamë pas, të cilët udhëtuan drejt Dubait, Maldiveve dhe Turqisë, destinacione që nuk kanë patur shtrëngime për udhëtime turizmi.

“Në rajon kemi operuar vetëm me Malin e Zi kryesisht sepse të tjerët kërkonin tampon dhe analiza shtesë në lidhje me COVID-19”- thotë një agjent nga Global Travel, i cili shton se klientela e këtijfundviti të vështirë nuk ka të krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë për shkak të krizës ekonomike, frikës nga infektimi dhe bllokimi i shumë destinacioneve.

Nga Kalemi Travel & Tours pohojnë të njëjtën tablo.

“Edhe pse ky fundvit ka qenë ndryshe nga të tjerët, përsëri ka patur persona që kanë zgjedhur të kalojnë Vitin e Ri jashtë kufijve. Kryesisht pjesa më e madhe e shqiptarëve zgjodhën të kalonin festat brenda rajonit në vende si Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, kjo për shkak të lehtësisë për të udhëtuar drejt këtyre vendeve. Por kishte dhe nga ata që zgjodhën vende si Turqia, Egjipt apo edhe Dubai për të kaluar festat e fundvitit.”- shpjegojnë nga Kalemi Travel & Tours.

Agjenti i saj sqaron për gazetën “Si” se pjesa më e madhe e atyre që kanë udhëtuar kanë zgjedhur paketat 3 ditore përgjatë kësaj periudhe, por kishte dhe klientë që udhëtuan për periudha më të gjata 5-7 ditore.

Marjen Rama nga Explorer Travel & Tours dhe nga Global Travel pohojnë se pjesa e shqiptarëve që udhëtuan për festat e fundvitit jashtë kufijve, të cilët zgjodhën agjencinë e tij ishin çifte, kryesisht të reja.

Ndërsa klientët e Kalemit qenë familjarë më shumë.

“Klientët tanë në periudhën e festave të fundvitit kërkuan paketa për në vendet e rajonit si Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Kosovë. Klientëve që iu shërbyem për në vendet e Europës qenë më të paktë në numër dhe ishin ata që kishin dokumenta, që nuk lëviznin me motivacion turizmin. Kjo nuk lejohet në vendet e Europës për shkak të masave anti-COVID-19”- tregon Marjen Rama nga Explorer Travel & Tours.

Përfaqësuesit e agjencive turistike në kryeqytet tregojnë se këtë fundvit pati një rritje të çmimit të biletave me 15-20% për shkak të linjave të pakta që mbetën në treg për shkak të krizës. Por në të njëjtën kohë hotelet kanë ulur çmimet për shkak të kërkesës së ulët, gjithashtu si rrjedhojë e pandemisë dhe në përgjithësi paketat turistike kanë qenë pothuajse me të njëjtat çmime si vitin e kaluar sepse rritja e çmimit të biletave është balancuar me uljen e çmimit të hoteleve.

Situata në industrinë e turizmit

Besnik Vathi nga ATHS shprehet shumë pesimist për gjendjen aktuale dhe nuk gjen optimizëm për të ardhmen, për sa kohë, thotë ai që nuk sheh asnjë rezultat që mund të parashikojë zhvillimet e mëtutjeshme.

“Pandemia goditi më shumë se të gjithë sektorin e turizmit. Dhe  brenda sektorët agjencitë dhe turoperatorët janë më të goditurit për shkak të bllokimimt të lëvizjeve dhe udhëtimeve. Agjencitë dhe turoperatorët larguan nga puna 70-80 % të punonjësve, mbi 60% falimentuan ose pezulluan aktivitetin. Pjesa tjetër po qëndron hapur vetëm për të mos humbur investimet ndër vite. Nuk ka punë për sa kohë kufijtë janë të mbyllur dhe  fluturimet të bllokuara”- shpjegon Vathi.

Ai konfirmon që sektori gjatë 2020-ës ka punuar vetëm me 10% të kapaitetit e përkthyer ndryshe ka humbur 90% të punës dhe të të ardhurave krahasuar me vitin 2019-të.

“Vaksina është një sinjal optimist, por po ecën aq ngadalë sa nuk kemi të dhëna për rezultate konkrete që të bëjmë ndonjë parashikim optimist në lidhje me lëvizjen dhe ekonominë”- thotë ai.

Check Also

Disa njerëz në Shqipëri janë të paprekshëm nga Covid-19

Djali i saj pesë vjeçar, dy prindërit e bashkëshortit dhe ai u infektuan të gjithë …

19 të vdekur, 986 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për 19 të vdekur si …

Po nëse në fletën e votimit vendosim opsionin ‘asnjë nga partitë’

Nga Irena Beqiraj Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, siç edhe pritej, po shoqërohet …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *