Kryeprokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka ngritur si shqetësim mungesën e burimeve njerëzore në organet e drejtësisë.
Në aktivitetin mbi Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme, Çela u shpreh se magjistratët po largohen si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.
Në këtë konferencë marrin pjesë edhe Luigi Soreca, ambasador i delegacionit të Bashkimit Europian, Yuri Kim ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bernd Borchardt ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Po kështu, të pranishëm janë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja.
“Organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota”, tha ai.
Çela foli edhe për sfidat e Prokurorisë, duke u ndalur tek koncepti i pavarësisë.
Sipas tij ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor.
“Prokuroria është organi që ka pësuar ndryshimet më drastike nga reforma. Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve.
Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon t’a ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë zbatimi i konceptit të pavarësisë është sfida më e vështirë për t’u kapërcyer. Raportet e reja që ligji ka krijuar mes drejtuesve dhe prokurorëve kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues”, u shpreh Çela.