Stafi mjekësor i Urgjencës Lezhe ka protestuar sot pasi qeveria nuk i ka dhënë shpërblimin e premtuar prej 1 mijë eurosh në punë, si luftëtarët në vijë të parë kundër Covid-19.
Të mbledhur përpara Urgjencës, ata thanë se Drejtoria e Spitaleve i ka lajmëruar se shpërblimi do të jetë vetëm 5 mijë lekë, rreth 40 euro.
Të revoltuar mjekët thanë se nuk është e drejtë të vlerësohen kështu, pasi kryeministri Rama ka premtuar shpërblim financiar 1 mijë euro në muaj për mjekët e infermierët dhe 500 euro në muaj për sanitarët, shoferët dhe gjithë stafin ndihmës.
Stafi mjekësor i Urgjencës thanë se kanë vendosur të refuzojnë të marrin shpërblimin prej 5 mijë lekësh dhe do ta dërgojnë këtë shumë në ndihmë në familjeve në nevojë.
Ata u shprehën se kanë shërbyer dhe do të vazhdojnë t’i shërbejnë me përulësi qytetarëve të Lezhës dhe të gjith pacintëve me Covid-19, pavarëisht mosvlerësimin të qeverisë.
Më 10 mars 2020, Kryeministri Rama, gjatë një mbledhje qeverie, njoftoi shpërblimet financiare për të gjithë mjekët, infermierët e sanitarët që po përballen direkt me rastet me koronavirus:
“Do t’i paguajmë 1 mijë euro plus në muaj deri në përfundim e epidemisë mjekët dhe infermierët, ndërsa sanitarët dhe shoferët 500 euro plus.”