Qeveria nuk tërhiqet nga propozimi për ashpërsimin e kodit penal

Qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimi i saj për t’i përfshirë në kodin penal masat e kufizimit të lirive nën epidemi dhe ndëshkimin me burg për shkeljet e tyre.

Tridhjetë organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut kundërshtuan me një letër të hapur propozimin e qeverisë për të dënuar me burg nga 6 muaj deri në 15 vjet ata që nën gjendjen e epidemisë shkelin masat kufizuese dhe karantinën.

Kryeministri Edi Rama u përgjigj me dy pastime në Twitter se organizatat mund të propozojnë përmirësime konkrete për ta përmirësuar propozimin, por që qeveria nuk do të tërhiqet.

“[…] nëse [organizatat] kanë propozime konkrete për përmirësime [të kodit penal] bujrum pa humbur kohë, sepse s’mund të jemi i vetmi vend në planet, që s’ka asgjë në kodin penal për të mbrojtur popullin nga kërcënimi i jetës, në kushtet e epidemisë! Përmirësime po, tërheqje as që bëhet fjalë fare!”

Rama arsyetoi më pas se ndëshkimet e ashpra ligjore mund të garantojnë daljen pa rrezik nga epidemia.

“Shoqatat s’duan asgjë në kodin penal për mbrojtjen nga epidemia? Po daljen e njerëzve nga shtëpia e duan?! Po rivënien në lëvizje të ekonomisë e duan?! Po rrezikun e infeksionit kur hapemi e kanë menduar?! E pra, nuk kemi rrugë tjetër për t’u hapur pa rrezikuar të humbin gjithçka!”

Propozimet e qeverisë për të dënuar me 15 vite burg shkeljen e karantinës është ndër më të ashprat në botë.

Aktualisht me akt normativ, qeveria ka gjobitur me nga 700 mijë lekë çdo qytetar që ka ardhur nga jashtë shtetit dhe nuk është vënë në karantinë në kushte shtëpie.

Njësoj me gjoba nga 10 mijë lekë deri në 1 milionë lekë janë gjobitur qytetarët që nuk kanë respektuar kufizimet e lëvizjes dhe aktivitetit ekonomik, ndërsa atyre që kanë lëvizur me makina përtej orareve u është bllokuar patenta dhe makina.

Dy javët e fundit të marsit, policia e shtetit gjobiti me 340 mijë euro mbi 2 000 qytetarë ndërsa rreth 700 të tjerëve u ka bllokuar makinat.

Check Also

19 të vdekur, 986 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për 19 të vdekur si …

Vrasja e Kastratit, policia kontrolle në shtëpinë e Vis Martinit, mban sekret arrestimin e tij

Operacioni i befasishëm i forcave speciale RENEA dhe FNSH në zonën e Kurbinit, ku dyshohej …

Letër politikës, mjekja shqiptare në Zvicër: Jemi pranë një bombe, Shqipëria po kalon atë që kaloi Lombardia para një viti

Doktoresha Elona Cekani në Zvicër dhe disa kolegë të tjerë i kanë dërguar një letër …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *