Qeveria ka pranuar të shtyjë planet për Korporatën e Investimeve dhe Amnistinë Fiskale

Nga Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare duket se ka pranuar këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar kundër krijimit të të ashtuquajturës Korporata e Investimeve Shqiptare, një kompani që, sipas projektit fillestar të qeverisë “Rama”, synonte të merrte një numër të lartë pronash publike dhe t’i akordonte ato te investitorë privatë duke anashkaluar kuadrin ligjor të koncesioneve, privatizimeve dhe prokurimeve publike dhe që, pas disa korrigjimeve, sërish ngre shqetësime për krijimin e një instrumenti fiskal që mbart rreziqe të larta për buxhetin e shtetit. Lajmi bëhet i ditur nga raporti vjetor i FMN-së për Shqipërinë i publikuar të Premten. Në të njëjtin raport vërehet se edhe projekti tjetër kontrovers i kryeministrit, amnistia fiskale për paratë e padeklaruara apo të fshehura përkundrejt një tarife të ulët, është shtyrë gjithashtu për më vonë.

“Stafi [i FMN-së” vlerëson se iniciativat komplekse politike që mund të mbartin mangësi të rëndësishme dhe rreziqe fiskale (përfshirë një amnisti fiskale të mundshme dhe bërjen operative të Korporatës Shqiptare të Investimeve) janë shtyrë për shkak të rëndësisë së vlerësimit tërësor dhe përgatitjes paraprake,” shkruhet në raport, i cili u publikua në faqen e internetit të FMN-së. [Link]

Përgjatë viteve të fundit, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë disa nisma kontroverse, të cilat janë kritikuar nga FMN për shkak të rreziqeve të larta që mbartin për financat publike dhe që, përballë një krize si ajo e tërmetit të 26 Nëntorit apo kjo e pandemisë COVID-19, e lënë vendin me pak mundësi për të mbuluar nevojat e veta më të domosdoshme, duke rrezikuar stabilitetin makroekonomik të vendit. Politika më kontroverse e tillë është ajo e programit 1 miliardë euro koncesione, e cila parashikon ndërtimin e disa rrugëve përkundrejt kontratave koncesionare afatgjata, të cilat, ndonëse nuk llogariten si borxh publik, mbartin të gjitha rreziqet e borxhit publik për financat e shtetit.

Borxh publik në rritje dhe rezervë valutore në rënie

Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordoi Shqipërisë një kredi të re prej 174 milionë eurosh për të mbështetur me valutë të fortë nevojën për të mbuluar deficitin e llogarisë korrente, i cili pritet të rritet. Kjo nuk është një  kredi që i jepet Ministrisë së Financave për shpenzime buxhetore por një kredi që i jepet Bankës së Shqipërisë për të përballuar goditje të mundshme në stabilitetin makroekonomik të shkaktuara nga zgjerimi i shpejtë i deficitit të llogarisë korrente të vendit.

Kjo kredi vjen në një kohë kur Shqipëria sakaq ishte duke shlyer kredinë e mëparshme të marrë ne vitin 2014 dhe që deri në fund të vitit 2019 mbetej për t’u shlyer edhe 344 milionë euro të tjera. Me kredinë e re, Shqipëria në fund të këtij viti do t’i detyrohet fondit 480 milionë euro.

Fondi parashikon që Shqipëria do të detyrohet të likuidojë një pjesë të rezervës valutore ndërkombëtare për të paguar kostot e paralizës ekonomike por nëse gjërat ecin siç duhet, vendi do të jetë në gjendje të rekuperojë një pjesë të kësaj humbjeje në dy vitet e ardhshme. Rezerva valutore e vendit pritet të ulet nga 3.36 miliardë euro në fund të vitit 2019 në 2.86 miliardë në fund të këtij viti.

Deficiti i buxhetit të shtetit pritet të rritet në 5.5% të PBB-së këtë vit nga 2.2% që ishte planifikuar në buxhetin fillestar. Diferenca prej 3.3%, e cila është e barabartë me afro 400 milionë euro, i detyrohet si rënies së pritshme të të ardhurave buxhetore ashtu edhe shpenzimeve shtesë për të përballuar pasojat e COVID-19.

Eurobondet kthehen në rrezik

Shqipëria ka sakaq prej një dekade një borxh të lartë publik, të cilin, tri qeveritë e fundit, Berisha-Meta, Rama-Meta dhe aktualja, kanë refuzuar ta ulin mjaftueshëm. Borxhi publik pritet të rritet nga 66% e PBB-së që ishte në fund të 2019 në 75% në fund të këtij viti. Por Shqipëria pritet të hasë vështirësi jo të vogla për shkak të praktikës së emetimeve të eurobondeve, të cilat nisën në vitin 2010 dhe që kanë qenë të vështira për t’u financuar në çdo rast, por pritet të jenë akoma më të vështira këtë vit për shkak të krizës financiare globale që po shkaktohet nga pandemia.

Sipas raportit të FMN-së, qeverisë shqiptare i duhet të ripaguajë 250 milionë euro në Prill-Maj dhe 250 milionë të tjera në Nëntor. Por planet për të emetuar 500 milionë euro bonde të reja për të shlyer të vjetrat kanë mbetur aktualisht pezull për shkak të pandemisë.

Emetimi i eurobondeve është reklamuar si një sukses i madh ekonomik i vendit përgjatë dekadës së fundit por sot, në kushtet e një krize globale, këto eurobonde po konsiderohen rreziku kryesor i vendit dhe i tillë që do të thajë burimet financiare të vendit, duke lënë shumë pak hapësirë për politika në ndihmë të ekonomisë së goditur nga pandemia.

Check Also

COVID, Italia, Macron, marrëdhënia me pushtetin, Rama rrëfehet për Forbes

Kryeministri Edi Rama deklaron se Shqipëria është një nga vendet më pak të prekura nga …

12 të vdekur, 832 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 12 pacientë të prekur nga Covid-19, 5 …

Akuzat e rënda për shantazh dhe korrupsion ndaj kreut të AKSHE. Një histori që ka përfshirë 4 ministra e ish-ministra

Kur dëgjon për herë të parë që në një kodër të thellë të Vorës, dikur …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *