Pyetjet e qytetarëve mbi lejimet dhe ndalimet e gjendjes së jashtëzakonshme mbeten pa përgjigje

Ndërsa këshillon qytetarët të “ruhen nga media”, kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë vetë rolin e kryemjekut, kryeministrit dhe informatorit unik në vend pa marrë shumë mundimin të sqarojë saktë se çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet në vend gjatë kohës së masave kufizuese në atë që ai e quan “luftë” kundër përhapjes së COVID-19. Shoqëruar ky problem në komunikim me masa ndëshkuese tejet të ashpra, pasiguria në jetët e shqiptarëve duket se është rritur brenda një nate dhe mundësia për të kuptuar se çfarë lejohet e çfarë jo, mbetet zero.

Policia e Shtetit, e cila zakonisht pason fjalimet e kryeministrit në Facebook, ku kryeministri duket se nuk i mbijeton dot tundimit të ngatërrimit të menaxhimit të një situate krize me axhendën e tij personale, është në gjendje të japë po kaq urdhra të paqarta ndaj të cilave, qytetarët ngrenë pyetje por ma marrë përgjigje.

Ditën e Dielë policia publikoi në faqen e vet në Facebook një status në të cilin ritransmetonte atë që kryeministri tha më parë, se “lejohet qarkullimi në oraret 06.00 deri në orën 08.00 në mëngjes dhe 16.00 deri 17.00 mbasdite i mjeteve (furgonçina, furgonë, minibuisë, autobusë) që do bëjnë transportin e personelit dhe punonjësve të bizneseve prodhuese/industriale/ bujqësore, duke marrë masa individuale mbrojtëse sipas kërkesave të dërguara dhe miratuara nga Policia e Shtetit.”

Nën këtë status, një numër i lartë shqiptarësh të shqetësuar ngritën pikëpyetje mbi situata konkrete në të cilën ato gjendeshin. Njëri pyeti nëse lejohej të udhëtonte nga Vlora për në Fier me një automjet me logo kompanie sepse jetonte në Vlorë dhe punonte në Fier. Një tjetër tha se telefonatat e policisë ishin të zëna gjatë të gjithë kohës ndërsa akoma më tutje, një tjetër shkroi se kishte pyetur numrin 129, i cili i kishte thënë se “nuk dinte gjë” dhe se e kishte këshilluar të “ndiqte televizorin”.

Një avokat pyeti nëse lejohej të shkonte në gjykatën penale për të ndjekur një seancë mase sigurie, ndërsa një banor zone rurale pyeti nëse lejohej të zbriste në qytet për të blerë ushqime.

Një tjetër u ankua se mungesa e udhëzimeve të sakta ka shtyrë policinë rrugore të gjobisë këdo që i del përpara.

“Kam në pronësi një blojë dhe bluaj grurë për fshatarët dhe himë për blegtorin, duke i transportuar për në destinacion për në fshat, patrulla e lëvizshme e policisë rrugore më ka bllokuar lejen e qarkullimit dhe lejen e drejtimit,” shkroi një përdorues në Facebookun e Policisë së Shtetit.

Të gjitha pyetjet mbetën pa përgjigje.

Shkelja ndalimit të qarkullimit, sipas një akti normativ ndëshkohet me tre vjet heqje patente dhe bllokim makine.

Kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër të drejtojë vetë komunikimin në lidhje me pandeminë COVID-19. Vetë Akti Normativ me fuqinë e ligjit u botua fillimisht me fragmente të përzgjedhura nga Rama në facebookun e tij para se të publikohej në Fletoren Zyrtare.

Check Also

Atentati ndaj 42-vjeçarit në Lezhë policia pyet disa dëshmitarë

Policia e Lezhës ka shoqëruar disa persona në lidhje me atentatin e të martës në …

Venecia kritikon socialistët për ndryshimet e njëanshme në kushtetutë

Komisioni i Venecias shprehu keqardhje për procedurën e ndjekur nga Partia Socialiste dhe mbështetësit e …

Mirel Mërtiri, padi kundër BIRN Albania për dëm ‘moral dhe ekzistencial’

Me pretendimin se raportimi për lidhjet e tij me koncesionet e trajtimit të mbetjeve urbane …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *