Prokuroria kërkon mbështetje ndërkombëtare për të rritur kapacitetet e hetimit ndaj krimit ekonomik

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela kërkoi në një tryezë të organizuar të martën bashkë me misionin e Bashkimit Europian PAMECA, ndihmë për të forcuar kapacitetet hetuese të prokurorisë kundër pastrimit të parave dhe po ashtu studim të detajuar të politikave penale.

Në takimin, në të cilin ishin të pranishëm ambasadorja e re e SHBA në Tiranë Yuri Kim, ai i BE Luigi Soreca, i OSBE Bernd Borchardt dhe drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Genti Ibrahimi dhe ai i SPAK Arben Kraja, u diskutuan po ashtu problemet pas reformës në drejtësi, përfshi ngarkesën në punë të prokurorëve dhe reduktimin e numrit prej procesit të rivlerësimit.

Çela tha se Prokuroria e Përgjithshme kishte bërë gati disa propozime, për të cilat kërkoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar të pranishëm në konferencë. Ndër të tjera ai foli për studim të detjauar të kriminalitetit, mirëadministrim të hetimit dhe përmirësim të kapaciteteve për të hetuar pastrimin e parave.

Rritja e pavarësisë dhe ndërgjegjshmërisë së përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme ishte kryefjala e konferencës. “Qëllimi i këtij takimi është prezantimi i një vizioni që lidhet me mirëfunksionimin e zyrave të prokurorisë, fokusin tek pavarësia dhe ndërgjegjshmëria e prokurorëve tanë”, u shpreh Çela.

Megjithatë ai ishte kritik ndaj situatës, ndërsa vuri në dukje mungesën e prokurorëve dhe burimeve njerëzore dhe paqartësinë për kohën kur sistemi do të rikthehet të jetë sërish plotësisht funksional. Çela tha se përgjegjësia u mbetej organeve të reja dhe se këto duhej të vinin në jetë arsyet e reformës në drejtësi. “Suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit”, tha Çela.

Ai tha se propozimet e zyrës së tij kishin të bënin me përmirësimin e organizimit të brendshëm të prokurorive, infrastrukturën operacionale dhe atë të bashkëpunimit dhe po ashtu ndërtimin e “një sistemi efikas monitorimi të aktivitetit të tyre (prokurorëve) në ushtrimin e funksioneve”.

Ai tha se në tryezën teknike do të diskutoheshin hapa konkretë mbi kapacitet për hetimin e pastrimit të parave dhe krimin finaciar, për të cilin tha se do të krijohej një “ambient mbytës”. Çela kërkoi mbështetje të faktorit ndërkombëtar për propozimet e bëra në takim.

Gjatë fjalës së tij ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, zoti Luigi Soreca, u shpreh se prokuroria këto vite të fundit ka krijuar një pavarësi të vetën në sajë të reformës në drejtësi.

“Perspektiva e karrierës së prokurorëve disa vite më parë varej nga politika, por sot kjo gjë ka ndryshuar”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, znj. Yuri Kim, theksoi se Shqipëria , si vend anëtar i NATO-s, ka si detyrim t’i përmbahet forcës së ligjit. “Korrupsioni vazhdon të mbetet faktori kryesor pengues për t’u luftuar, për integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh ambasarodja e SHBA-së. Gjithashtu ajo theksoi se për të arritur rezultate reale, institucionet e drejtësisë duhet të jenë bashkëpunuese, por gjithmonë duke ruajtur pavarësinë e tyre. Kim tha se detyra e prokurorisë ishte të mos lejonte që fajtorët të shpëtonin dhe të mos lejonte që “të pafajshmit të vuajnë!”.

Gjithsesi, gjatë konferencës u theksua se në Shqipëri nuk ekziston akoma një studim i mirëfilltë në lidhje me kriminalitetin, dhe rëndësia e hartimeve të raporteve specifike mbi problemet që hasin institucionet. Po ashtu u theksua se nuk ekziston një sistem për vlerësimin e oficerëve të Policisë Gjyqësore, i cili do të shërbente për ngritjen e nivelit cilësor të Policisë Gjyqësore.

Nga ana tjetër, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi u shpreh se menyra sesi funksiononte sistemi nga viti ’98 e deri në reformën e vitit 2016 nuk vlen më asnjë grosh për prokurorinë e sotshme, ndërsa tha se prokuroria ishte e keq financuar.

Check Also

Rama: OSBE, mision i suksesshëm, tani duam Këshillin e Sigurimit në OKB

Shqipëria e vlerëson të suksesshme Presidencën e OSBE-së, pavarësisht vështirësive që dolën përgjatë këtij viti …

18 të vdekur, 801 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët e fundit kanë ndërruar …

SPAK dërgon për gjykim çështjen ndaj ish-drejtorit të Tatimeve Korçë

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, njoftoi të premten se kishte dërguar për gjykim në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *