Profesori i Imunologjisë: Përhapja e infeksionit do të kulmojë në mesin e Prillit

Përhapja e infeksionit do të kulmojë në mesin e muajit prill. Prof. dr. Genc Sulçebe, i specializuar në fushën e imunologjisë, thotë se numri i personave të infektuar nga COVID-19, të konfirmuar zyrtarisht, është vetëm maja e ajsbergut.

Ka një numër të konsiderueshëm personash, sipas tij, të cilët megjithëse mund të jenë mbartës të virusit, nuk kanë shfaqur simptoma ose të tjerë që mund ta kalojnë si një grip i zakonshëm. Këta persona janë rrezik i shtuar për infektimin e të tjerëve.

Ndërsa sjellë në vëmendje atë që ka ndodhur në një qendër banimi në Veneto të Italisë, ku nga testimet në masë dhe izolimi i të prekurve, u bë e mundur frenimi i përhapjes së koronavirusit, profesori e konsideron me rëndësi kryerjen e sa më shumë  testeve.

Por në kushtet tona, sipas tij, depistimi në shkallë të gjerë i popullsisë, është i pamundur sepse kërkon infrastrukturë laboratorike të fuqishme dhe të shpërndarë në territor.

Profesor, aktualisht jemi në situatën kur janë  konfirmuar 104 të infektuar nga COVID-19 prej të cilëve 4 kanë ndërruar jetë. I përgjigjet kjo shifër situatës reale?

Ka shumë mundësi që numri 104 i personave të infektuar dhe të vërtetuar me testim laboratorik deri tani në Shqipëri të jetë vetëm maja e ajsbergut. Duhet të ketë shumë më tepër individë të infektuar që nuk paraqesin shenja të sëmundjes dhe që quhen asimptomatikë, individë të tjerë me shenja të pakta apo fare të lehta si dhe të tjerë që e kalojnë sëmundjen në shtëpi ashtu siç kalojmë të gjithë një grip të zakonshëm.

A e vështirëson edhe më tepër situatën kjo nisur nga fakti që personat asimptomatikë mund të bëhen burim infeksioni për të tjerët në mënyrë të pavetëdijshme?

Dy ditë më parë, studiuesit italianë duke u nisur nga një studim epidemiologjik në një qendër banimi në Veneto të Italisë të quajtur Vo’ Euganeo, ku u depistua e gjithë popullata për infektim nga virusi, komunikuan që 50 deri 75% e personave të infektuar ishin asimptomatikë.

Këta përbëjnë kështu  një rrezik të madh për përhapjen e infeksionit. Izolimi i plotë i personave të infektuar, qoftë ata me shenja klinike apo ata asimptomatikë e çoi numrin e të sëmurëve në këtë komunitet nga 88 në 7 brenda 7 deri10 ditëve. Pra izolimi i plotë i të gjithë të infektuarëve solli dhe shërim me të shpejtë të atyre me shenja të sëmundjes.

Në vazhdim të këtij rezultati, në Veneto të Italisë ka filluar një depistim masiv në rradhë të parë të personave në rrezik më të madh infektimi dhe përhapje të virusit si personeli mjekësor, i rendit publik, i shërbimeve të ndryshme publike etj. Kjo në rradhë të parë për të parandaluar shpërndarjen eksponenciale të infeksionit nga ana e këtij kontingjenti.

Në postimet e bëra në rrjetet sociale ju konkludoni po ashtu se, mesi i muajit prill do të shënojë edhe kulmin e përhapjes seë infeksionit…

Ky është një hamendësim, ndoshta pak optimist, duke u nisur nga evolucioni i infeksionit në Kinë dhe Itali. Specialistët epidemiologë kanë modele matematikore për të llogaritur ecurinë në kohë të kurbës së infeksionit por dhe kjo llogaritje nuk është e lehtë se varet nga shumë faktorë që nuk parashikohen apo nuk njihen mirë.

Rëndësi ka fakti se ne jemi aktualisht në fazën e rritjes së përhapjes së infeksionit dhe të gjithë përpjekjet duhen fokusuar në ngadalësimin maksimal të kësaj përhapje që të mos krijohet dyndje e të sëmurëve në spitale siç ndodhi në Itali.

Si i shikoni masat e ndërmarra deri më tani dhe a mendoni që do të japin rezultatet për të mos u përballur me atë që është duke u përballur Italia dhe Spanja sot?

Masat e marra deri tani janë të domosdoshme dhe sa më restriktive të jenë aq më mirë do të pengojnë përhapjen e infeksionit. Rëndësi ka që të gjithë njerëzit të ndërgjegjësohen se në qoftë se duan që kjo e keqe të largohet sa më shpejt duhet të distancohemi fizikisht sa më shumë nga çdo person tjetër. Kjo bëhet duke qëndruar sa më shumë në shtëpi dhe nëse jemi të detyruar të dalim, të rrimë ta paktën 1,5 m larg çdo individi dhe të përdorim sa më shumë maskën. Duhet dhe te vetedukohemi se si ta përballojmë infeksionin nëse ai na shfaqet. Duhet të dimë se ky infeksion nuk është “vdekjeprures” por është i vetëkufizuar.

Pra, sistemi yne imunitar i ka të gjitha kapacitetet që ta mposhtë këtë infeksion me sukses. Në shumicën dërrmuese të rasteve ai kalon vetë brenda 1 deri 2 javësh pa patur nevojë për barna. Të gjitha barnat për të cilat flitet janë të pavërtetuar akoma për efikasitetin e tyre.

Rendja pas mjekut dhe institucioneve shëndetësore si ambulanca, spitale etj, jo vetëm nuk ka dobi por është e dëmshme se sjell shpërndarje të pakontrolluar të infeksionit dhe rrezikon personelin shëndetësor. I dobishëm është pa dyshim marrja e informacionit telefonik nga personeli mjekësor i dedikuar për këtë qëllim.

A duhej  “hetim epidemiologjik” për rastet e dyshuara, me histori udhëtimi nga vendet e prekura?

Kjo patjetër që duhet, por do të kishte vlerë në momentin fillestar të hyrjes së infeksionit, që siç dihet ka ardhur nga Italia. Tani virusi duhet të jetë kudo dhe, edhe në qoftë se dalim negativ në testim në një moment, më pas mund të behemi pozitiv.

“Hetimi epidemiologjik” ka më tepër vlerë për të kapur personat e kontaktit me të sëmurët dhe për t’i izoluar ato që të mos infektojnë të tjerë. Ai vlen dhe për të depistuar individët e rrezikuar ngaqë janë në shërbim të popullatës si personeli shëndetësor, i rendit publik, apo të tjerë që punojnë në sherbime me publikun.

Lidhur me testet apo tamponët, mendoni që është e duhura metoda kosto-efikase që është duke ndjekur Qeveria?

Duhet të dimë që, në lidhje me testet ka patur një evolucion udhëzimesh edhe nga vete Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në fillim ajo udhëzonte të testohen personat e dyshuar për infeksion, qoftë duke u nisur nga shenjat e sëmundjes apo nga historitë e kontakteve apo udhëtimeve.

Më pas ajo udhëzoi të rritet në maksimum të mundshëm numri i personave të testuar për të kapur sa më shumë asimptomatikë. Kjo është strategjia që ka patur sukses në Korenë e Jugut. Në kushtet tona, depistimi në shkallë të gjerë i popullsisë jo vetëm nuk është kosto-efektiv por dhe i pamundur sepse kërkon infrastrukturë laboratorike të fuqishme dhe të shpërndarë ne territor.

Ne e dimë tashmë që, infeksioni është kudo dhe e rëndësishme është që deri në fund të epidemisë secili nga ne ta konsiderojë veten si të infektuar dhe gjithashtu si rrezik për të tjerët. Po kështu, dhe çdo person në afërsinë tonë duhet të konsiderohet si rrezik përhapje infeksioni për ne. Kjo vlen sidomos për të moshuarit dhe personat me sëmundje të mushkërive, zemrës, hipertensionit, diabetit etj.

Së fundmi profesor, mendoni që do të “izolohet” shpejt ky virus, që është kthyer në harkun e tre muajve në një kërcënim global?

Mendoj se strategjitë e izolimit apo distancimit fizik dhe social janë masat e vetme që mund të aplikohen tani dhe kanë vlerë të rëndësishme për të ngadalësuar sa më tepër përhapjen e infeksionit si dhe për t’i dhënë kohë sistemeve shëndetësore dhe qeverive që të marrin masa për të trajtuar sa më të mirë këtë epidemi.

Kjo vlen sidomos për të sëmurët që do të kenë nevojë domosdoshmërisht për ndihmë spitalore dhe që kanë nevojë për kushte sa më të mira. Popullata njerëzore globale duket se nuk ka imunitet të gatshëm ndaj këtij virusi të ri. Imuniteti ndaj tij krijohet ose nga kontakti me virusin, duke shpresuar që ai të japë sa më pak sëmundshmëri dhe pasoja, ose nga vaksinimi i popullatës.

Për zhvillimin e vaksinave ndaj ketij virusi janë të paktën 20 qendra në botë që punojnë intensivisht, por duhet mjaft muaj që ato të testohen dhe të përdoren te njeriu. Shpresohet në përgjithësi se brenda fundit të këtij viti kjo do të mund të arrihet.

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *