Një tjetër masë drastike në kuadër të luftës kundër Koronavirusit COVID-19 është vendosur nga Policia e Shtetit.
Prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, është mbyllur kalimi në pikat kufitare me Kosovën.
Policia Kufitare mori masat për të kufizuar në maksimum qarkullimin e hyrje-daljeve mes dy vendeve për 14 ditët e ardhshme.
“Do të lejohen të lëvizin vetëm shtetasit kosovarë që kthehen drejt Kosovës dhe ata shqiptarë që vijnë drejt Shqipërisë. Lejohen ambulancat, lëvizja e mallrave dhe makinat qeveritare”, thuhet në njoftimin zyrtar. I njëjti vendim është marrë edhe nga Policia e Kosovës, pas rasteve të para me COVID -19 të publikuara dje nga Qeveria.
“Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të anulojnë lëvizjet e planifikuara dhe ata që ndodhen në udhëtim drejt Morinës, të kthehen pas, sepse nuk do lejohen të kalojnë”, përfundon njoftimi.