Kryeministri, Edi Rama duke folur ne nje konference shtypi pas lajmit qe Shqiperia ka arritur te siguroje eurobondin 650 milion euro ne tregjet nderkombetare per nje afat 7 vjecar dhe me interes 3.625%./r/n/r/nPM Edi Rama speaks at a press conference after the news that Albania has issued the Eurobond of 650 million euros in international markets for a period of 7 years and with an interest rate of 3.625%.

Pikëpyetje mbi dëmet e tërmetit në shkollat që do të rindërtohen nga BE

Pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, me qindra godina u shenjuan me kryqe të kuqe në qytetin e Durrësit, por gjimnazi “Naim Frashëri” ia doli të rihapte dyert për qindra nxënës.

I ndodhur mes stadiumit “Niko Dovana” dhe spitalit rajonal të Durrësit, gjimnazi “Naim Frashëri” iu rikthye procesit mësimor më 9 dhjetor, pasi një grup i parë ekspertësh e vlerësoi atë si të padëmtuar në strukturë.

Në dhjetor 2019, ekspertët shkuan sërish në godinën e shkollës dhe kontatuan dëme të lehta të shkallës së dytë, por e klasifikuan atë “të gjelbër/të banueshme”. Mësimi u zhvillua normalisht deri në mars 2020, kur dyert e “Naim Frashërit” u mbyllën sërish si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Megjithatë, në mënyrë të papritur në fund të muajit prill, Bashkia e Durrësit i kërkoi Komitetit Shtetëror të Rindërtimit që ta përfshinte godinën në planet e afërta për rindërtim.

Gjimnazi “Naim Frashëri” është një nga 11 godinat arsimore të bashkisë së Durrësit që Komiteti Shtetëror i Rindërtimit vendosi t’i bënte pjesë të fazës së dytë të programit “BE për Shkollat” –i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të ndihmës financiare për rimëkëmbjen e Shqipërisë nga pasojat e tërmetit.

Por një raport paraprak i Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin BIRN e disponon, ngre pikëpyetje serioze nëse këto godina arsimore u dëmtuan vërtet nga tërmeti –ndërsa vlerëson se Bashkia e Durrësit dhe Instituti i Ndërtimit shkelën kuadrin ligjor gjatë procesit të vlerësimit të dëmeve.

Sipas audituesve të KLSH-së, Bashkia e Durrësit inicioi kërkesa për akt-ekspertime të thelluara për 11 objektet arsimore, ndonëse ekspertizat paraprake i kishin vlerësuar ato si të pacenuara dhe të banueshme.

KLSH akuzon gjithashtu Institutin e Ndërtimit se në kushtet e konfliktit të interesit, kreu edhe akt-ekspertizat e thelluara, edhe oponencën e tyre –duke sugjeruar prishjen e 7 godinave dhe rikonstruksionin e 4 të tjerave, pa kryer më parë një vlerësim të kostove për ndërhyrjet.

I pyetur rreth konkluzioneve të Kontrollit të Lartë i Shtetit, Delegacioni i Bashkimit Europian u përgjigj se nuk ishte njohur ende me to, por shpresonte të merrte draftin përfundimtar, të cilin tha se “do ta analizojmë me kujdes”.

Delegacioni i BE-së shtoi gjithashtu se programi “BE për Shkollat” varet nga vlerësimi i dëmeve që kryen qeveria e Shqipërisë, ndërsa vendimet merren nga Komiteti Shtetëror për Rindërtimin.

“As Delegacioni i BE-së, as UNDP-ja nuk janë të përfshira në vendimet e marra nga Komiteti Shtetëror për Rindërtim,” tha Delegacioni në një përgjigje me shkrim.

Bashkia e Durrësit nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara të BIRN mbi gjetjet e KLSH-së, por deklaroi se ishte në pritje të raportit përfundimtar, i cili do të reflektonte edhe oponencën e tyre.

Ndërsa Instituti i Ndërtimit tha se i kishte kryer akt-ekspertimet me kërkesë të Bashkisë së Durrësit, ndërsa hodhi poshtë akuzat se kishte qenë në konflikt interesi.

“Objektet arsimore, objekt i auditimit teknik, janë me një jetëgjatësi mbi 50 vite dhe futen tek objektet e rëndësisë së veçantë dhe me akses publik, të cilat e kanë domosdoshmëri kryerjen e ekspertizës,” tha drejtoresha e Institutit, Egra Ibrahimi në një përgjigje me shkrim.

Komiteti Shtetëror i Rindërtimit nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Vendime ‘të pabaza’  


Tërmeti i një viti më parë që goditi Shqipërinë e Mesme u mori jetën 51 personave  dhe plagosi qindra të tjerë. Vala shkatërrimtare e goditjes u ndje në mënyrë të veçantë në Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Kurbin, ku qindra ndërtesa u dëmtuan dhe u shpallën të pabanueshme.

Mes mijëra ndërtesave të dëmtuara, 143 ishin shkolla, kopshte, çerdhe dhe konvikte. Bashkimi Europian është donatori më i madh për rehabilitimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti, duke alokuar deri më tani për rindërtimin e tyre mbi 65 milionë euro.

Përmes fazës së parë dhe të dytë të programit “BE për Shkollat”, Bashkimi Europian ka marrë përsipër të financojë rindërtimin apo rikonstruksionin e më shumë se gjysmës së objekteve arsimore të dëmtuara. Programi “BE për Shkollat” po zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP.

Më 2 korrik, Komiteti Shtetëror i Rindërtimit miratoi një listë me 42 shkolla, të cilat do të rindërtohen nga e para ose do të rikonstruktohen gjatë fazës së dytë të programit “BE për Shkollat”. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar procedurat e vlerësimit të dëmeve vetëm për 11 objektet arsimore të kësaj liste, që i përkasin Bashkisë së Durrësit.

Sipas raportit paraprak të KLSH-së, 11 godinat arsimore u verifikuan menjëherë pas tërmetit nga grupet e ekspertëve të ngritura nga Instituti i Ndërtimit dhe rezultuan pa dëme strukturore. Ekspertët rekomanduan përgjithësisht riparime rifiniturash e suvatime – me përjashtim të konviktit të shkollës “Beqir Çela”, ku rekomanduan mospërdorim deri në një vlerësim të dytë.

Katër prej godinave arsimore –ku përfshihen gjimnazi “Naim Frashëri”, çerdhet nr.2 dhe 3 dhe shkolla “Eftali Koçi  iu nënshtruan një inspektimi të dytë në 8 dhjetor 2019.

KLSH citon në akt-inspektimin e kryer për gjimnazin “Naim Frashëri” se u vlerësuan dëme të lehta strukturore të shkallës 2, por me rrezikshmëri “të gjelbër/të banueshme”. Tre objektet e tjera rezultuan me dëmtime të shkallës zero.

Pavarësisht vlerësimit si të banueshme, Bashkia e Durrësit i kërkoi Institutit të Ndërtimit të kryente akt-ekspertiza të thelluara për 11 godinat e mësipërme arsimore. Më 30 prill 2020, Bashkia i kërkoi Komitetit Shtetëror të Rindërtimit që t’i përfshinte ato në planet për rindërtim –ndonëse nuk kishte marrë ende të gjitha akt-ekspertizat e thelluara.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se kërkesa e Bashkisë bie në kundërshtim me Aktin Normativ nr.9, që rregullon pasojat e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore.

“Bashkia Durrës ka inicuar kërkesën për akt-ekspertizë të thelluar edhe pse në akt-konstatimet paraprake të Institutit të Ndërtimit apo grupeve përkatëse të inspektimit nuk është kërkuar rivlerësim më i thelluar,” shkruhet në raport.

Sipas KLSH-së, kuadri ligjor është shkelur më pas edhe nga Instituti i Ndërtimit, i cili kreu edhe akt-ekspertimet e thelluara, edhe oponencën e tyre. Audituesit vlerësojnë se Instituti i Ndërtimit u vendos “në kushte të hapura të konfliktit të interesit”.

Akt-ekspertimet e thelluara të Institutit të Ndërtimit paraqesin një situatë të kundërt me vlerësimet praprake. Për shumicën e objekteve shkollore, ato konstatojnë degradim të hekurit dhe kolonave mbajtëse si dhe prani të lagështirës.

Konkluzioni është i njëjtë për të 7 godinat që rekomandohet ndërtimi nga e para: “Objekti është i dëmtuar në strukturë. Për këtë arsye, grupi i inspektimit vendosi që nuk ka nevojë për inspektime laboratorike. Vihet re degradim i objektit ndër vite”.

Në raportin paraprak, KLSH vlerëson se akt-ekspertizat e thelluara të Institutit të Ndërtimit janë trajtuar në formë shablloni, duke bërë më shumë historikun e tërmeteve në Shqipëri sesa trajtimin e problemeve të objekteve.

Raporti shton gjithashtu se audituesit e KLSH-së nuk gjetën asnjë evidencë në terren që të provojë nëse është verifikuar hekuri i kolonave apo muret poshtë suvasë- të cilat konsiderohen në akt-ekspertiza si të degraduara.

Në kundërshtim me Aktin Normativ, akt-ekspertimet nuk përbajnë gjithashtu një vlerësim financiar të ndërhyrjeve. Prishja e godinave rekomandohet vetëm në rastet kur kostot e ndërhyrjeve zënë 70% të kostos së rindërtimit nga e para.

Duke i konsideruar procedurat e ndjekura nga Bashkia e Durrësit dhe Instituti i Ndërtimit në shkelje të kuadrit ligjor, audituesit e KLSH-së vënë në dyshim edhe vërtetësinë e akt-ekspertizave të thelluara.

“Procesi i vendimmarrjes, veçanërisht për prishjen e detyruar të objekteve, është i pabazë dhe mbart njëkohësisht rriskun që të jetë e gabuar,” argumenton KLSH.

Instituti i Ndërtimit i kundërshtoi gjetjet e KLSH, ndërsa i tha BIRN se provat laboratorike të hekurit nuk kanë qenë të nevojshme, me përjashtim të shkollës “Naim Frashëri”.

“…janë objekte me muraturë mbajtëse tulle, ku nuk janë të nevojshme provat e hekurit, duke përjashtuar shkollën Naim Frashëri që ka sistem konstruktiv të kombinuar..,” tha Instituti i Ndërtimit.

Instituti sqaroi gjithashtu se për shkak të uljes së kostove, kishin negociuar në VKM nr. 26 edhe kryerjen e akt-ekspertizave pa prova.

“Akt-ekspertiza pa prova bazohet kryesisht në bazë të eksperiencës dhe përvojës së inxhinierit, i cili shkon në terren dhe bën klasifikimin e objektit të dëmtuar, nëse këtij objekti i duhet bërë ekspertiza me prova, apo pa prova,” tha drejtoresha Ibrahimi në përgjigjen me shkrim.

Delegacioni i Bashkimit Europian i tha BIRN se inxhinierët e UNDP-së që kishin vizituar të gjitha objektet në Durrës, kishin inspektuar dëme të dukshme në to. Megjithatë, BE shtoi se inxhinierët e UNDP-së nuk marrin pjesë në vlerësimin e thelluar të Institutit të Ndërtimit.

Delegacioni shtoi se BE-ja dhe UNDP-ja kanë rishikuar listat e miratuara nga Komiteti Shtetëror për Rindërtim dhe kanë vendosur së bashku për shkollat ​​që do të synohen nga programi, mbi bazën e një sërë kriteresh.

“Raportet shprehen se analizat e thelluara janë kryer në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 26, datë 15 janar 2020, “Për Vlerësimin në Thellësi të Ndërtesave të Dëmtuara”, tha Delegacioni.

Nxënësit vuajnë pasojat

Gjimazi “Naim Frashëri” i ka mbyllur dyert që prej muajit mars dhe pritet të rindërtohet përmes programin “BE për Shkollat”. Foto: Klodiana Lala.

Prishja e disa shkollave të dëmtuara nga tërmeti dhe vendimet e diskutueshme për mbylljen e 3 gjimnazeve dhe dy shkollave të tjera –pjesë e listës së programit “BE për Shkollat” – e kanë vështirësuar së tepërmi zhvillimin e procesit mësimor në qytetin e Durrësit.

Situata u rëndua edhe më tej si pasojë e pandemisë së COVID-19, ku nxënësit u ndanë edhe me turne.

Prej mesit të shtatorit, gjimnazistët e shkollës “Naim Frashëri” u zhvendosën në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në zonën e plazhit. Sipas nxënësve dhe mësuesve, procesi mësimor zgjaste deri në orën 20:00 të mbrëmjes.

“Transporti i nxënësve bëhet me autobusin e shkollës. Mësimi bëhet në dy turne, nga ora 13.30 deri në orën 20.00. Kemi marrë masat anticovid dhe gjithçka është nën kontroll,” tha mësuesja e kimisë, Mimoza Hasantaraj.

E pyetur se çdo të bëhej me godinën e shkollës “Naim Frashëri”, mësuesja tha se dinte që ishte planifikuar për t’u shembur. Ajo nuk pranoi të fliste për dëmet, duke mos e konsideruar veten kompetente.

Edhe gjimnazi “Gjergj Kastrioti” e ka zhvendosur procesin mësimor në turnin e dytë në godinën e universitetit “Aleksandër Moisiu” në zonën e Currilave. Drejtoresha e gjimnazit, Enkelejda Alizoti i tha BIRN se procesi mësimor kishte filluar normalisht në shkollën e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit, por godina ishte mbyllur përfundimisht në periudhën e karantinës në muajin mars.

“Qëndruam në mjediset e shkollës duke zhvilluar mësimin normalisht, duke u rimbyllur sërish shkolla për shkak të pandemisë,” tha Alizoti për BIRN. “Në mjediset tona erdhën edhe nxënësit dhe mësuesit e shkollës Bedri Bebeziqi, të cilët e zhvilluan procesin mësimor në të njëjtën godinë me ne, kuptohet me dy turne,” shtoi ajo.

Mbyllja e shkollës “Gjergj Kastrioti” dhe zhvendosja e mësimit deri në orët e vona të mbrëmjes ka shkaktuar shqetësime tek prindërit e gjimnazistëve. Hamide Sejdini, nënë e tre vajzave, i tha BIRN se për shkak të orarit, tashmë është e detyruar që ta shoqërojë vetë vajzën e dytë për në shkollë.

“Pas tërmetit, vajza rinisi shkollën te Gjergj Kastrioti. Por në mars, shkolla u mbyll nga pandemia dhe pastaj na lajmëruan se do të shkonte të ndiqte mësimin tek ambjentet e Universitetit,” tha Sejdini. “Më shqetëson fakti që është larg dhe kthehet në darkë, ndaj përpiqem ta shoqëroj vetë çdo ditë,” përfundoi ajo.

Check Also

Zyrtarizojnë koalicionin. Kurti për Kryeministër, Osmani Presidente

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani njoftuan arritjen e marrëveshjes së koalicionit, jo vetëm parazgjedhor. Kreu …

Loja e madhe e Erdoganit: Intrigat në Shqipëri e Ballkan

Nga Financial Times Ka kaluar një vit që kur shtetasi turk Harun Çelik u dërgua …

Studimi i ri / Nëse e keni kaluar Covid-19 mund të keni antitrupa për 5 muaj

Shumica e njerëzve që kanë pasur Covid-19 janë të mbrojtur nga riinfektimi për të paktën …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *