Pakënaqësitë e kunatit për shpërblimin, ‘tradhtuan’ botuesin Henri Çili

Detaje të reja dalin në dritë për dosjen hetimore të operacionit të koduar “Mezhgorani”, që përfundoi me 28 persona të arrestuar, 7 të shpallur në kërkim dhe të paktën 15 të tjerë nën hetim në gjendje të lirë. Botuesi dhe pronari i UET-së, Henri Çili, dyshohet se mund të jetë “tradhtuar” nga kunati i tij Gazmir (Enri) Ajdini, (vëllai i bashkëjetueses), i cili ka pasur pakënaqësi për disa nga pagesat ku ishte ndërmjetësues. Përveç çështjes me 1 mln euro për lirimin e vëllezërve Arbion dhe Alban Aliko, nga Lazarati, të dënuar për vrasjen e specialit të RENEA-s, Ibrahim Basha, botuesi dyshohet edhe për një rast të dytë. Çili akuzohet se ka tentuar të ndikojë tek një gjyqtar për dy dosje të bujshme, atë të dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, Arbjon Alikos dhe Feti Yzeiraj, të dy me rekurs në Gjykatën e Lartë, në pritje për t’u shqyrtuar në stokun e mbi 33 mijë dosje, që presin që gjykatë të bëhet funksionale.

Për prokurorët, një nga provat është edhe një takim mes Çilit dhe një gjyqtari të njohur, të cilit nuk i jepet emri në dosje, ku merret premtimi se dosja e Alikos dhe Yzeirajt do të jetë ndër 50 të parat për shqyrtim. Prokuroria mohoi që të kishte filmime apo përgjime për këtë takim, por bëri me dije se informacionin e ka marrë nga bisedat e përgjuara të personazheve të dyshuara, që kanë folur për takimin, ku Çili telefonon kunatin e tij, Gazmir Ajdini, të cilit i thotë se “gjithçka është OK”. Dyshohet së kunati është ndërmjetësi për të gjetur familjarët e Arbjon Alikos dhe Feti Yzeirajt, të cilët më tej do të jepnin lekët për premtimet që merrnin nga botuesi dhe pronari i UET. Rezulton se Feti Yzeirajt, i ka marrë 30 mijë euro në dorë.

Henri Çili është takuar më 12 shkurt 2020 në ambientet e UET-së që ai ka në pronësi, me kunatin e tij Gazmir Ajdini, dhe një person me emrin Sokol, që ishte ndëmjetës i familjarëve të Feti Yzeirajt, dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Në këtë takim, në prezencë të kunatit të tij, Çili ka marrë 30 mijë euro, me premtimet se do të ndikojë tek autoritetet e drejtësisë për të parë me prioritet dosjen në Gjykatën e Lartë, ku Yzeiraj ka bërë rekurs vendimin e Apelit.

Pikërisht mbi këtë shumë ka nisur edhe pakënaqësia e Ajdinit ndaj kunatit të tij, pasi kur i ka dorëzuar paratë, Gazmir Ajdini ankohet se nuk ka marrë pjesën e tij. Në dosje thuhet se “për shkak se Gazmir Ajdini është i pakënaqur me Henri Çilin, pasi nuk i ka dhënë pjesën e tij, ka telefonuar një person me emrin Aldo, ku i ka thënë: “Do të marrësh në telefon kunatin tim. Do t’i prezantohesh me emrin “Sokol”, që takoi sot në biznesin e tij dhe do t’i thuash që nuk dua të vazhdoj me atë muhabet dhe që kërkon kthimin e shumës 30 mijë euro, që ka dorëzuar sot”.

Një tjetër e dhënë nga hetimet është se botuesi është takuar me gjyqtarin e njohur në ambientet e “Hotel Tirana International”, ku rezulton se kanë folur për zgjidhjen e çështjes penale ndaj vëllezërve Aliko nga Lazarati dhe futjen sa më parë të kësaj dosje për gjykim në Gjykatën e Lartë ku është bërë rekursi.

Në dosjen e Prokurorisë së Përmetit thuhet: “Gazmir Ajdinaj, Ilir Korbi, Betim Shkupi, Liko Jazi dhe Demir Yzeiraj, kanë marrë shumën prej 30 mijë euro, e cila i është dorëzuar botuesit Henri Çili. Ndërsa në datën 21 shkurt 2020, Jazo Liko ka marrë shumën prej 10 milionë lekë të vjetra nga familjarët e Feti Yzeiraj, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, për t’ia dorëzuar Gazmir Ajdinaj, për llogari të Henri Çilit, pasi pjesa tjetër do jepej në muajin mars, për ta ndihmuar në organet e drejtësisë. Ndërhyrjet e botuesit Henri Çili në funksion të sistemit të drejtësisë, rezulton nga përmbajtja e bisedës së datës 14 janar 2020 të zhvilluar në ambientet e hotel “Internacional Hotel Tirana”, ku një drejtuesi të një organi të lartë të drejtësisë, i është kërkuar që të ndikojë që kërkesat e të dënuarve, Arbjon Aliko dhe Feti Yzeiraj, që ai ka ndërhyrë të bëheshin sa më shpejt. Nga ana e këtij funksionari Henri Çili ka marrë garancinë që çështjet do të gjykoheshin në 50 dosjet e para”.

Ditën që Liko Jazi është nisur drejt Tiranës, për të dorëzuar shumën e parave prej 10 milionë lekë të vjetra, ai është mbajtur nën vëzhgim dhe në momentin që do bëhej dorëzimi, Liko është ndaluar dhe ndaj tij është ushtruar kontroll, ku i janë gjetur paratë.

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *