Një rrezik i panevojshëm—raport i punës së call centrave gjatë krizës

Vazhdimi i punës së qendrave telefonike (call center) është rrezik që mund t’i kthejë ato në vatra të infektimit nga koronavirusi.

Standardet e vendosura nga qeveria për dezinfektimin e mjediseve dhe ruajtjen e distancës mes punëtorëve janë të pamjaftueshme.

Kjo i dedikohet sa fuqisë së jashtëzakonshme të përhapjes së virusit, aq edhe natyrës së punës së qendrave telefonike, ku dhjetra e qindra punonjës lëvizin çdo ditë në mjedise të vogla të përbashkëta.

Exit News kontaktoi në fillim të javës me disa qendra telefonike që veprojnë në kryeqytet për t’u informuar mbi masat për sigurimin e punonjësve, dhe për të mësuar nëse kompanitë kanë në plan të kalojnë në punë nga shtëpia.

Disa prej tyre, si Selecta e BConnect, u dukën të gatshme në bisedën e parë të jepnin informacion, duke premtuar që do të telefononte mbrapsht përgjegjësi i burimeve njerëzore, por kjo gjë nuk ndodhi; madje, nuk iu u përgjigjën më thirrjeve në telefon.

Burime pranë Exit News pohojnë se BConnect ka lejuar punëtorët të punojnë nga shtëpia.

Ndërkohë, një nga kompanitë më të mëdha në vend, Teleperformance, pasi u njoh me qëllimin e telefonatës, na vuri në pritje, por nuk vonoi ta mbyllte telefonin për të mos ta hapur më.

Dega e kompanisë në Durrës i tha Exit News se nuk janë të autorizuar të japin asnjëlloj informacioni.

Sipas burimeve tona, disa sektor të kompanisë kanë marr iniciativë të qëndrojnë në shtëpi dhe kush mundet, punon nga shtëpia; pjesa tjetër vazhdojnë të punojnë rrreguliasht.

Të mërkurën ne raportuam deklaratën e sindikatës Solidariteti, sipas të cilës Teleperformanca u ka kërkuar dhjetëra punonjësve të mbyllen në shtëpi pasi një prej stafit ka rezultuar i infektuar me koronavirus, mes të cilëve edhe drejtuesi i vetë sindikatës. Asnjë reagim nuk ka patur nga autoritetet për këtë rast.

Kompania Albacall ka informuar ne rrejtety sociale për dizinfektimin e ambienteve dhe nga dëshmitë në rrjet nga punonjës të saj sdukt se ajo vazhdon aktivitetin. Të hënën e shkuar një operator i paidentifikuar iu pergjigj Exit Neës se zyra ishte e mbyllur dhe nxitoi të ndërpriste thirrjen.

Për t’u siguruar që nuk bëhej fjalë thjesht për ditën zyrtare të pushimit, Exit tentoi të telefononte edhe të martën, por askush nuk u përgjigj.

Edhe dy kompani të tjera, Assist dhe Frontline, nuk u përgjigjën, por dimë me siguri që kompania e parë vazhdon punën dhe kushdo që rri në shtëpi e ka bërë me iniciativën personale.

Një tjetër kompani që nuk u përgjigj ishte Fastcall, për të cilën qarkulluan ankesa të paverifikuara në rrjet se kërkontë paraqitjen në punë me detyrim të punonjësve.

Qendrat telefonike janë shndërruar në “tokë të askujt” sipas një artikulli botuar te Rassegna Sindicale në Itali, sipas së cilës shumë kompani të tilla vazhdonin të operonin edhe pas vendosjes së masave të jashtëzakonshme, me punëtorët që ndjehen të pasigurtë e që shpesh improvizojnë protesta.

Në Shqipëri, kryeministri Rama mbase me të drejtë, kërkon të mos ndalet veprimtaria prodhuese për shkak të efekteve në ekonomi, por që duket se qëllimisht injoron rrezikun potencial të infektimit që këto veprimtari mbartin.

“Vendimi për mosmbylljen e aktiviteteve prodhuese nuk do të thotë rrezikimi i shëndetit të atyre që shkojnë në punë,” – tha ai.

Nga ana tjetër janë vetë kompanitë, të cilat ofrojnë pak trasparencë e profesionalizëm dhe që nuk përpiqen të marrin përsipër përgjegjësi sociale për punëtorët e tyre.

Këto përgjegjësi, sipas komunikimit që Exit ka pasur me persona që punojnë në këtë sektor, nuk rëndojnë shumë në arkat e këtyre sipërmarrjeve.

Në fakt, aktiviteti i call centera-ve është veçanërisht i privilegjuar në situata të tilla kritike sepse puna e tyre kryhet përmes një kompjuteri, programi telefonik dhe aplikacione të ndryshme të instaluara në të.

Burimet tona thonë se krijimi i infrastrukturës së nevojshme për të punuar nga shtëpia nuk është e kushtueshme dhe plotësisht e përballueshme nga kompanitë.

Ekzistojnë programe kompjuterike profesionale që lehtësojnë zhvillimin e punës bë shtëpi, pa asnjë dallim nga ajo në zyrë.

Një arsye përse mendohet se ky investim mungon është sepse hallkat e ulëta drejtuese brenda call centerave, kryesisht të rinj vendas, nuk bëjnë kërkesa ndaj eprorëve të huaj, por preferojnë që ta kanalizojnë presionin te punëtorët e thjeshtë, duke iu imponuar kushtet e punës.

Si rrjedhim, sipërmarrësit e huaj nuk ndjejnë detyrim të shtojnë masat e sigurisë në punë.

Deklaratat e vagullta të qeverisë na bëjnë të mendojmë se ajo nuk ka bërë përpjekje të zbulojë nëse ka sektor prodhues, që janë në gjendje të ofrojnë punësim nga shtëpia apo nëse disa prej tyre kanë nevojë për stimuj të vegjël fiskal për të vepruar për sigurimin e jetës së punëtorëve.

E vetmja gjë që është bërë është përcaktimi i sektorëve që do të paralizohen dhe atyre që do të funksionojnë duke marr masa, të cilat mund të jenë joefektive në ndalimin e infektimeve në ambiente si call-centerat.

Megjithatë, ekzistojnë kompani për t’u marr shembull për seriozitetin, përgjegjësinë dhe shpejtësinë me të cilën kanë reaguar përballë përhapjes së pandemisë së Covid-19.

Disa prej atyre që kanë preferuar të investojnë qysh herët në zhvendosjen e plotë të punës në shtëpi. Onlinenow testoi punën nga shtëpia qysh në momentin që virusi u zbulua në Italinë fqinje, ndërsa IDS punën online sapo virusi u zbulua në Shqipëri, sikurse duket se kanë bërë edhe Fiber Group, Facile.it dhe Opportunity.

Check Also

Rama: OSBE, mision i suksesshëm, tani duam Këshillin e Sigurimit në OKB

Shqipëria e vlerëson të suksesshme Presidencën e OSBE-së, pavarësisht vështirësive që dolën përgjatë këtij viti …

18 të vdekur, 801 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët e fundit kanë ndërruar …

SPAK dërgon për gjykim çështjen ndaj ish-drejtorit të Tatimeve Korçë

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, njoftoi të premten se kishte dërguar për gjykim në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *