Në Shqipëri mund të kalojë gazi rus

Shqipëria mund të shndërrohet padashje dhe pa vullnetin e saj në një rrugëkalimi të gazit rus për në vendet e Bashkimit Europian. Rrugëkalimi mund të jetë pikërisht gazsjellësi i ndërtuar për të shkëputur varësinë e Europës nga gazi rus, TAP-i.

Këtë mundësi e la të hapur Presidenti i azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kur foli për agjencinë ruse të lajmeve “Ria Novosti”. Aliyev tha se teknikisht transporti i gazit rus përmes TAP-it është plotësisht i mundur, por për këtë nuk kishte marrë asnjë propozim zyrtar bashkëpunimi nga Moska.

Ai deklaroi se infrastruktura mund të përdoret nga të dyja vendet, por saktësoi se duhet të detajohen aspektet e bashkëpunimit. TAP pritet që të përmbyllet plotësisht në gjysmën e dytë të këtij viti dhe të nisë më pas transportin e gazit nga fushat gazmbajtëse azere për në Itali.

Idenë e përdorimit të TAP-it për transportin e gazit e ka hedhur e para që në 2017 kompania ruse Gazprom. Kompania theksonte se për shkak të konfliktit në Ukrainë rrugët tradicionale të transportit të gazit rus për në Europë nuk ishin më të sigurta, e po ashtu Nord Stream 2 ishte ende në ndërtim, ndaj hidhej ideja e përdorimit të TAP si një rrugë alternative eksporti.

Në nëntor të 2019 Presidenti turk dhe ai azer përuruan lidhjen e tubacionit në kufirin greko-turk. I gjithë tubacioni pritet të ketë një kapacitet prej 16 miliardë metër/kub gaz në vit, një shifër e ulët në krahasim me kapacitetet e gazsjellësve që operon nga Gazpromi rus.

Vetë fusha e Shah Denizit nuk është në gjendje që brenda një viti të sigurojë këtë sasi gazi, ndaj Azerbajxhani ka mbajtur të hapur mundësinë që tubacioni të lidhet me gazsjellësin “TurkStream”, që lidh Rusinë me Turqinë me një kapacitet prej 31 miliardë metër/kub në vit. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Putinit dhe Erdoganit, gjysma e sasisë së këtij gazi do të jetë për tregun turk dhe gjysma tjetër për t’u hedhur në Europë.

Për këtë qëllim, Moska po kërkon një rrugë sesi ta transferojë këtë tepricë gazi në Perëndim, duke shfrytëzuar infrastrukturën e azerëve. Presidenti azerbajxhanas thotë se një gjë e tillë do të ishte në përputhje me rregullat e BE-së dhe në përputhje me politikën e tij që infrastrukturat dhe investimet ekonomike të mos i lidhë asnjëherë me gjeopolitikën, por vetëm me interesin e vendit.

Kjo do të thotë se nëse nga Rusia mbërrin një ofertë e kënaqshme, atëherë azerët do të ishin gati që të hapnin rubinetat e TANAP/TAP për transportin e gazit rus, që nga Turqia do të kalonte në Greqi dhe më pas në Shqipëri.

Check Also

Mirel Mërtiri, padi kundër BIRN Albania për dëm ‘moral dhe ekzistencial’

Me pretendimin se raportimi për lidhjet e tij me koncesionet e trajtimit të mbetjeve urbane …

FMN nxjerr ‘blof’ qeverinë për Rindërtimin: Deri në shtator u realizua vetëm 8% e planit vjetor

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në një raport të fundit ka hedhur dritë mbi fondet që …

Balluku: Kolaudimi i makinave nuk do të jepet me konçesion

Ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku ka mohuar të ketë një konçesion të ri për shërbimin …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *