Kush i kërkoi lekë “burrit të Desadës”? SMS e Ballukut, sherr në Albpetrol

Znj.Belinda Balluku është ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Znj.Erjola Muka është administratore e Albpetrol, ndërmarrja shtetërore që duhet të menaxhojë në interes publik, një nga pasuritë më të vyera të vendit.

Znj.Enila Hasani është Drejtore Juridike e Albpetrol.

Z.Sokol Toska është ekspert kontabël i regjistruar.

Në rrethin miqësor z.Toska njihet edhe si “burri i Desadës”, sepse është bashkëshorti i Desada Metaj, ish-kryeredaktore e emisionit Opinion në Tv Klan, që tani punon si këshilltare në PD e Lulzim Bashës.

Të katërt personat e mësipërm, tre prej të cilëve zyrtarë shtetërorë, i katërti privat, janë përfshirë ditët e fundit në një katërkëndësh mesazhesh dhe emailesh në të cilat shfaqen si akuzues dhe të akuzuar. Për një rast rryshfeti.

Për çfarë bëhet fjalë? Një e-mail i brendshëm i Albpetrol publikuar sot nga DITA zbulon disa detaje nga ky rast.

Z.Toska është pajtuar nga jashtë Albpetrol si ekspert kontabël për të hartuar kontratën e çertifikimit të bilancit.

Ministrja Balluku
Ministrja Balluku

Për ekspertët kontabël, për noterët etj këto lloj kontratash me kompanitë shtetërore konsiderohen “punë” me peshë sepse pagesat janë të majme. Duhen miq të fortë për t’i marrë.

Një kontratë e tillë si kjo e Albpetrol përshembull paguhet rreth 40-50 mijë euro.

Nga emaili, (pjesë prej të cilit do publikojmë më poshtë) kuptohet që “puna” e zotit Toska ka interesimin e vecantë të vetë ministres Balluku.

Dikush në Albpetrol i ka kërkuar atij rryshfet për t’i kaluar pagesën e punës së bërë me kontratën e çertifikimit.

Znj.Balluku i ka kërkuar sqarime drejtores Muka. Drejtorja Muka ka akuzuar drejtoren juridike znj.Hasani.

Si njëra si tjetra me sa duket e kanë kuptuar me vonesë që trazimi i “burrit të Desadës” trazonte vetë ministren. Kur e kanë kuptuar kanë nisur të akuzojnë njëra tjetrën, njëra brenda stafit dhe tjetra në këtë email.

Aty drejtorja juridike Hasani i shkruan drejtores së përgjithshme Muka:

Muka, drejtore e Albpetrol

“Prej dy ditësh emri im po përbaltet nga ana juaj në cilësinë e Administratores së Shoqërisë “Albpetrol” Sh.a. me arsyetimin se keni marrë një mesazh nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Znj.Belinda Balluku referuar të cilit unë i kam kërkuar para në emrin tuaj Z.Sokol Toska, Ekspert Kontabël i Regjistruar.

Emri im përflitet në mënyrën më banale nga personi juaj me sigurinë e plotë që vetëm njerëzit patetikë dhe qesharake e kanë.

Nga punonjësit tuaj me vijnë në mënyrë të vazhdueshme fjalë e biseda të kryera nga ana juaj jo vetëm në rreth të ngushtë por edhe në mbledhje apo në ambjentet e shoqërisë ku ju punoni, me tone të larta fyese e denigruese ndaj meje, duke e lejuar veten të shpifni duke më akuzuar si një individ i cili përfshihet në afera korruptive e vjedhjeje në institucion”.

Madje zyrtarja e kundër akuzon shefen e saj se i ka kërkuar “kompromise”:

“Nga një njohje shumëvjecare mes nesh, për hir të disa kompromiseve të cilat personi dhe figura ime nuk mund ti pranojnë, mes nesh nisën konfliktet që prej momentit të parë ku unë jo vetëm duke respektuar parimet e mia si njëri por edhe ato profesionale, shfaqa hapur mospajtimin dhe mospërputhshmërinë time qoftë karakteriale apo profesionale si fillim me problematikat e Drejtoreshës së Prokurimeve por, edhe me mënyrën aspak profesionale dhe ligjore që ju po ndiqnit në menaxhimin e Shoqërisë”, – shkruhet më tej në email.

Në mes, Desada Metaj, këshilltare e kreut të PD

Ajo madje përmend “mënyrën” se si Muka “menaxhon jetën” e saj dhe kërkon që ajo t’u drejtohet organeve ligjore nëse ka prova kundër saj.

“Është katërcipërisht e sigurtë që shpifjet tuaja kanë emrin e gabuar. Çfarëdolloj indicie apo prove, dokumenta, fakte të cilat kompromentojnë për shkak të detyrës punonjësit e administratës tuaj, ju sugjeroj Znj.Muka, të ndiqni rrugën ligjore, bazuar në Kushtetutë dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë.

Si administratore e një prej shoqërive më të rëndësishme në vend, nuk ju lejohet e as ua toleroj të gjitha sa sipër. Se si ju zgjidhni të menaxhoni jo vetëm shoqërinë por edhe jetën tuaj është zgjedhje juaja dhe mbetet e tillë për sa kohë nuk cënoni integritetin tim personal e profesional. Ju bëj me dije se në rastin e parë që do të bie sërisht ndesh me shpifjet tuaja, komunikimi ynë do të zgjidhet ligjërisht pranë organeve kompetente” – shkruhet në emailin e gjatë që posedohet i plotë nga DITA.

Rasti provon jo vetëm që çorapi korruptiv i punëve të shtetit vazhdon si më parë, por edhe që fluksi i ndereve dhe i favoreve nuk njeh ngjyra partiake.

Check Also

Si e vrasim të vërtetën!

Nga Irena Beqiraj Jam rritur duke menduar se e vërteta me shumë gjasa del nga …

Sot bëhet një vit nga tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë ndër dekada

Ishte ora 03:56 mëngjesin e 26 nëntorit të kaluar, kur një lëkundje e fuqishme me …

Malltezi: Rama, Ahmetaj, Blushi, Koka e Zoto janë kapur duke vjedhur 430 milionë euro, s’e mbulojnë dot me mediat e blera

Anëtari i kryesisë së PD-së, Malltezi, ka denoncuar ato që i quan pseudomedia lidhur me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *