Nje djale me biciklete me maske mbrojtese ne fytyre duke kaluar prane dyqaneve e bizneseve qe kane ulur qepenat ne Rrugen e Durresit ne Tirane, teksa rruget jane pothuajse bosh. Qeveria i ka bere thirrje popullates qe te qendrojne sa me shume ne shtepi dhe pervec qarkullimit te makinave ka ndaluar edhe levizjen e kembesoreve pas ores 18:00 dhe i ka kerkuar te moshuarve mbi 70 vjec te veteizolohen. /r/n/r/nA guy in a bicycle wears a protective mask on his face passes near closed shops and business in Durresi's Street of Tirana, which is almost empty. The government has called on the population to stay home as much as possible and has stopped pedestrian movement after 6pm.

Jo të gjithë mund të punojnë nga shtëpia; COVID-19 vendos në karantinë dhjetëra profesione

Zamira Vata, një sipërmarrëse 26-vjeçare, e cila ka në pronësi një dyqan estetike në Tiranë, e përshkruan javën e fundit si një nga sfidat më të mëdha profesionale të karrierës së saj.

“Të të hanë duart të punosh e të mos mundesh dot,’ shprehet Vata. “Është situatë shumë e vështirë për mua si parukiere/estetiste pasi nuk e kam të mundur opsionin e punës nga shtëpia,” shtoi ajo.

Si pjesë e masave të distancimit social të ndërmarra për kufizimin e përhapjes se koronavirusit të ri COVID-19, qeveria ka urdhëruar prej gati një jave mbylljen e bizneseve jo thelbësore siç janë furrat e bukës, supermarketet dhe farmacitë.

Në përgjigje ndaj kësaj mase drastike një pjesë e kompanive dhe organizatave jofitimprurëse janë munduar të transferojnë aktivitetin brenda mureve të shtëpisë. Por me gjithë përparimet në teknologjinë e informacionit, kjo formë pune është e pamundur për shumë profesionistë që ofrojnë shërbime të cilat nuk mund të realizohen në distancë.

Por edhe profesionistët për të cilat puna në distancë është e mundur, nënvizojnë se jo çdo gjë mund të realizohet nga divani i dhomës së ndenjes, duke krijuar pasiguri nga afati i pacaktuar i ‘shtetrrethimit’ të deklaruar nga kryeministri Edi Rama, i cili shpesh e ka përshkruar përpalljen me koronavirusin me “luftën.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli me 11 mars shpërthimin e koronavirusit si pandemi, shkalla më e lartë e alarmit mjekësor në botë. Sipas OBSH-së koronavirusi i ri COVID-19 ka infektuar më shumë se 190 mijë persona në të gjithë botën. Deri të mërkurën në Shqipëri janë konfirmuar 59 raste të infektuar me COVID-19 dhe 2 viktima.

Me 11 mars Këshilli Ministrave mori një urdhër ku ndalonte aktivitetin e të gjithë bizneseve jo esenciale, shkollat, si dhe veprimtaritë sportive e kulturore si pjesë të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri. Megjithatë, disa sipërmarrjet dhe organizata i paraprin urdhërit të kryeministrit për distancim social, duke e transferuar punën e punonjësve jo esencial në shtëpi.

Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit shprehet se aktualisht janë 6 punonjës të kësaj organizate që janë duke punuar nga shtëpia, por ajo nënvizon se lidhja virtuale në distancë nuk e zëvendëson asnjëherë kontaktin nga afër.

“Puna online nuk e zëvendëson kontaktin e drejtpërdrejtë njerëzor, veçanërisht për punën në grup që ka të bëjë me koordinimin dhe ndjekjen e aktiviteteve në kuadër të projekteve që zbatojmë,” u shpreh Skendaj, duke shtuar se janë duke punuar online për ofrimin e shërbimeve ligjore dhe trajtimin e ankesave që vijnë në rrugë elektronike, dhe për raportet që janë në proces sa i takon gjendjes dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të shtetasve.

Afërdita Dalti, 62 vjeç, mësuese e gjuhës angleze në një prej shkollave private të Tiranës bie dakord me Skëndaj duke nënvizuar se edhe mësimdhënia online – e cila po praktikohet gjerësisht nga Ministria e Arsimit pas mbylljes së shkollave dhe universiteteve, nuk mund të zëvendësoi plotësisht mësimdhënien tradicionale.

“Mësimi online nuk është asnjëherë aq produktiv sa mësimi në klasë dhe kjo do krijojë boshllëqe tek nxënësit, që nga ana tjetër do i vë pedagogët nën përgjegjësinë për t’u munduar t’i rikuperojnë këto boshllëqe deri në fund të vitit shkollor,” tha ajo. “Korrigjimi i detyrave online përbën sfidë më vete,” shtoi Afërdita.

Megjithë sfidat e mësimdhënies në distancë, puna e mijëra mësueseve nga kushtet e vetëizolimit po e mban në këmbë sistemin arsimor në Shqipëri.

Megjithatë, jo të gjithë profesionistët e kanë mundësinë të punojnë nga rehatia e shtëpisë, pasi disa profesione mund të praktikohen me vështirësi në distancë.

“Puna që unë bëj si balerin dhe si instruktor i Zumba/Aerobi ma bën të pamundur që të punoj nga shtëpia këto ditë,” shpjegon Ervin Klosi.

“Përveç rasteve kur jap ndonjë udhëzim klientëve të mia se si të ushtrohen në shtëpi për të qenë sa më aktive”, shtoi ai, duke nënvizuar se duke pasur një të rutinë tepër aktive në jetën e përditshme, përballja me izolimin ishte diçka që nuk e kishte menduar kurrë se do t’i ndodhte.

Masat drastike të distancimit social që janë ndërmarrë në të gjithë botën po e çojnë ekonominë globale drejt recesionit. Edhe në Shqipëri si në çdo vend tjetër, kufizimi lëvizjes dhe mbyllja përkohshme e një pjesë të zinxhirit ekonomik për t’u ruajtur nga flama e koronavirusit, gjithashtu pritet të sjellë pasoja negative për ekonominë.

“Tani jemi dhe në muajin ku edhe fillon vrullshëm frekuentimi palestrave, gjë që nuk është diçka e mirë sepse ndikon edhe në ekonominë e biznesit dhe të klientelës, e normalisht kjo do ndikojë negativisht tek ecuria e biznesit,” shprehet balerini dhe instruktori Klosi.

Ai uron që koronavirusi të vihet nën kontroll sa më shpejtë dhe kufzimet të mbarojnë.

“Mbetemi në pritje të udhëzimeve të autoriteteve në lidhje me datën e rifillimit të aktivitetit, pasi tani dhe klientela më kontakton vazhdimisht për këshilla për të qëndruar në formë,” përfundoi Klosi.

Edhe Zamira Vata është e shqetësuar për pezullimin e aktivitetit ekonomik.

“Nëse kjo situatë do zgjasë shumë biznesi do marrë një goditje serioze,” tha ajo. “Edhe klientet e mia besnike nga ana tjetër më shkruajnë çdo ditë duke më pyetur se kur do rihapemi, ” shtoi Vata, e cila nënvizon se megjithëse koronavirusi i ka përmbysur prioritet, vajzat dhe gratë vazhdojnë të merakosen për estetikën e tyre, edhe pse në karantinë.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe estetika nuk ka shumë pika takimi; megjithatë, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj shprehet se masa e distancimit social e bëjnë të vështirë përmbushjen e funksionit të organizatës për ofrimin e shërbimeve legale dhe juridike.

“Sa më e gjatë të jetë koha e kësaj gjendje emergjente aq më e vështirë do të jetë për ne të përmbushim plotësisht misionin e organizatës, në drejtim të kontributit për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë,” theksoi Skëndaj.

Ajo shprehet se pavarësisht përfshirjes serioze dhe vullnetit të mirë të punonjësve për t’u përkushtuar nga shtëpia, përsëri ekzistojnë një sërë angazhimesh të cilat nuk mund të realizohen në mënyrë virtuale, për shkak se këto aktivitete kanë nevojë për kontakt real me përfituesit.

“Shumë aktivitete të Komitetit Shqiptar të Helsinkit janë të lidhura me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, monitorimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve ligjore me kontakt të drejtpërdrejtë me ankuesit, e të gjitha këto janë pezulluar,” shpjegon Skëndaj.

Ajo thekson se sfida më e madhe e KShH-së për momentin konsiston në monitorimin e sistemit të burgjeve, i cili mund të ketë gjithashtu problematika që ndikojnë në shëndetin fizik dhe mendor të shtetasve të privuar nga liria, si rezultat i masave të marra kundër COVID-19.

“Ankesat e shtetasve të burgosur nën këto kushte mund të jenë shtuar por ne nuk i vizitojmë dot, dhe tashmë ne nuk kemi kontakt telefonik me këta shtetas, dhe këta shtetas nuk mund të përcjellin ankesa online pasi e kanë të ndaluar përdorimin e internetit,” shpjegoi Skëndaj.

Pasiguria në lidhje me periudhën e zgjatjes së masave të distancimit social e ka lënë aktivitetin institucional dhe ekonomik të vendit pezull.

Por përpos gjithë kësaj situate të vështirë, Zamira Vata sheh një anë pozitive tek pandemia, duke u shprehur se ndoshta izolimi do të sjellë një reflektim më të thellë tek shumë syresh dhe do të ndikojë në rritjen e humanizmit, si edhe në shtimin e përkujdesjes për veten dhe jetën në përgjithësi, pasi kriza të kalojë.

“Më dërgojnë pafund modele thonjsh dhe flokësh, sesi dëshirojnë t’i bëjnë pas kalimit të kësaj situate,” tha ajo, duke shtuar se edhe pse klientëve të saj i është prishur e gjithë rutina jetësore dhe i mungojnë shërbimet të cilat shumë prej tyre janë mësuar t’i bëjnë pothuajse çdo javë, ato po mundohen ta shohin gotën gjysmë plot./Birn

Check Also

Siguracionet, ligjet nuk mbrojnë konsumatorin kur kompanitë falimentojnë

Tregu shqiptar i sigurimeve është zgjeruar ndër vite, si në rastet kur kërkoi vitin e …

Kakofonia e ekspertizave mban pezull të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës

Ardit Dulemata i ka ende të freskëta kujtimet e mëngjesit të 26 nëntorit 2019, gati …

Mësimi online, vendim i trishtë që duhet shpjeguar

Vendimi për të kthyer mësimin online na shqetëson pa masë. Megjithëse mund ta rrokje me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *