Top Channel ka fituar një beteje ligjore kundër portalit Syri.Net të cilin televizioni e kishte paditur për shpifje.
Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë në kërkesën e palëve paditëse në këtë rast televizionin Top Channel duke konstatuar shkaktimin e dëmit jopasuror ndaj shoqërisë paditëse Top Channel sh.a i njohur si një televizion mbarë kombëtar.
Lajmin e bën të ditur kryeredaktori i emisionit Top Story, Endrit Habilaj.
“Ky vendim gjykate i referohet një lajmi të Syrit, se ekipi i Top Story dhe drejtuesit e saj kishin kërkuar nga biznesi CFO Pharma, rreth 200 mijë euro gjobë. Akuza ishte e pavërtetë, e pabazuar dhe mbi të gjitha e stisur. Gjykata dënoi portalin për shpifje, ndërsa biznesmeni kërkoi ndjesë për akuzat e ngritura ndaj nesh” shkruan Habilaj në rrjetet sociale.
Portali Syri.net është në pronësi të gazetarit Çim Peka.