Dosja në SPAK, Adriatik Llalla mëson akuzat në 15 mars

Adriatik Llalla mund të hetohet nga Prokuroria e Posaçme vetëm për akuzën e mosdeklarimit të të ardhurave në kufi, ndërkohë që tre akuzat e tjera më të rënda, si refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen, ose deklarimi i rremë i pasurisë, pastrimit i produkteve të veprës penale dhe shpërdorim detyre mund të bien.

Akuza e mosdeklarimit të të ardhurave në kufi bazohet tek një episod, ky dyshohet se Adriatik Llalla ka fshehur një shumë prej 60 mijë eurosh me të cilën ka udhëtuar në drejtim të Gjermanisë. Sipas dosjes së prokurorëve, Llalla u justifikua se paratë i kishte marrë borxh nga një mik dhe se ato do të shërbenin për shkollimin e vajzës së tij në Gjermani.

“Mosdeklarimi i të ardhurave në kufi” nuk është një vepër penale që përfshihet në kompetencat e SPAK, por Prokuroria e Posaçme do ta hetojë Adriatik Llallën brenda 15 marsit për shkak të pozicionit të tij si ish-zyrtar i lartë. Pas 15 marsit, kur përfundon afati i hetimeve, SPAK do të vendosë nëse do të pushojë hetimet edhe për këtë akuzë, apo do ta dorëzojë atë në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Zanafilla e dosjes “Llalla” nis që në 2018, kur hetimet u nisën nga Prokuroria e Durrësit me katër akuzat. Dosja kaloi më pas tek Krimet e Rënda, ku në atë kohë, drejtuesja Donika Prela caktoi prokurorin Klodian Braho për këtë çështje. Përgjatë 2019 hetimet u zgjatën disa herë. Hera e fundit ishte në tetor, kur Gjykata për Krimet e Rënda miratoi kërkesën e Prokurorisë për të zgjatur me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve, ndërkohë që avokati i Llallës kërkoi pushimin e tyre.

Zgjatja e hetimeve kaloi automatikisht dosjen “Llalla” te SPAK-u më 20 dhjetor, kohë kur u shkri Prokuroria për Krimet e Rënda dhe u ngrit struktura e re e organit të akuzës parashikuar nga reforma në drejtësi. Megjithatë, prokurori i çështjes nuk ndryshoi, pasi Klodian Braho nga prokuror i Krimeve të Rënda u bë pjesë e SPAK-ut.

Adriatik Llalla u akuzua fillimisht për shpërdorimi detyre, fshehje pasurie, pastrim parash dhe mosdeklarim të parave në kufi. Sa i takon shpërdorimit të detyrës ai u dyshua se ka pasur abuzime me tendera, pasi një tender ka përfituar dikush me të cilin Llalla ka bërë transaksione pasurish të paluajtshme.

Akuza tjetër, ajo e pastrimit të parave u ngrit pas zbulimit se ish-kryeprokurori kryente rivlerësime të shpeshta të pronave. Ai i blinte lirë dhe më pas i rivlerësonte duke rritur ndjeshëm çmimin.

Për akuzën e pastrimit të parave, prokuroria hodhi dyshimet se ish-kryeprokurori pastronte paratë e vëna përmes korrupsionit duke i investuar kryesisht në prona të paluajtshme, të cilave u rritej vlera pas proceseve të shpeshta të rivlerësimit. Mes dyshimeve ishte se Llalla përdorte skemën duke njoftuar blerjen me çmime të lira të pronave dhe më pas shitjen e tyre disa herë më shtrenjtë nga çmimi i blerjes.

Dyshime u hodhën për një transaksion që nis që në vitin 2007, kur Llalla ka deklaruar një ullishte në Mjull-Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja, ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po të 2012-ës është rivlerësuar me dyfishin e çmimit.

Të njëjtat dyshime u ngritën edhe për një tokë arë me sipërfaqe rreth 2 hektarë në Qehaj-Shytaj në Tiranë. Llalla deklaron se e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja dhe gjashtë muaj më vonë, pra në maj të 2017 e ka rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja.

Megjithatë, tre akuzat e fundit duket se do të bien edhe në SPAK. Tashmë, pas dy vitesh nën akuzë, Adriatik Llalla pritet që të mësojë nëse do të merret zyrtarisht i pandehur vetëm për akuzën e mosdeklarimit të parave në kufi, apo edhe për këtë akuzë hetimet mund të pushohen.

Sidoqoftë fati i dosjes në Shqipëri, apo numri i akuzave me të cilat do të përballet Adriatik Llalla, ai mbetet familjarisht në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që e shpalli “non grata” për përfshirje në afera korruptive madhore. Llalla është akuzuar publikisht nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, që e cilësonte “peshk të madh” dhe pengesë për reformën në drejtësi.

Check Also

COVID, Italia, Macron, marrëdhënia me pushtetin, Rama rrëfehet për Forbes

Kryeministri Edi Rama deklaron se Shqipëria është një nga vendet më pak të prekura nga …

12 të vdekur, 832 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 12 pacientë të prekur nga Covid-19, 5 …

Akuzat e rënda për shantazh dhe korrupsion ndaj kreut të AKSHE. Një histori që ka përfshirë 4 ministra e ish-ministra

Kur dëgjon për herë të parë që në një kodër të thellë të Vorës, dikur …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *