COVID-19 shton vetminë e të moshuarve në qendrat rezidenciale

Vetmia nuk është një ndjenjë e re për të moshuarit e strehuar në azile dhe qendra rezidenciale, por ndalimi i vizitave me të afërmit dhe shqetësimi i krijuar nga lajmet mbi epideminë e koronavirusit, u ka krijuar atyre një gjendje më të rënduar psikologjike.

“Këtu nuk na mungon asgjë, jemi si në shtëpinë tonë, por jam e frikësuar për nipërit dhe mbesat e mia, mendja më rri vetëm aty,” thotë Mrika përmes video-callit, ish-mësuese dhe rezidente e qendrës “Shtëpia e Dashurisë” në Tiranë prej 2-vitesh.

76-vjeçarja nuk ka fëmijë dhe është strehuar në qendër pas vdekjes së bashkëshortit. Motra dhe nipërit janë të vetmit të afërm që i kanë mbetur, e të cilët nuk i sheh tashmë prej javësh.

Qendra rezidenciale për të moshuarit “Shtëpia e Dashurisë” në Tiranë, e cila strehon 12 të moshuar nga mosha 75 deri në 86 vjeç nga i gjithë vendi, ka kaluar në izolim total që prej datës 12 mars, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të banorëve të saj nga epidemia e COVID-19 .

Pasojat e infektimit me COVID-19 për këtë moshë mund të jenë vdekjeprurëse, prandaj dhe masat e marra nga qendra rezidenciale kanë qenë drastike, duke kufizuar totalisht vizitat nga të afërmit apo kontaktet me personat e jashtëm.

“Kemi komunikuar me secilin nga familjarët e rezidentëve dhe kemi rënë dakord që këto ditë t’i rrallojmë sa më shumë takimet, deri ne ndalimin e tyre, në mënyrë që t’i mbrojmë rezidentët nga kjo epidemi dhe të kemi mundësi të krijojmë një ambient sa më të sigurt, pasi siç e dime, mosha e tretë është mosha më e rriskuar,” tha drejtoresha e qendrës, Klaudia Tolaj.

“I gjithë personeli – përgjegjësja e qendrës, infermierja, kuzhinierja dhe sanitarja janë duke qëndruar 24 orë në ambientet e qendrës deri në përfundim të kësaj krize,” shtoi ajo, duke theksuar se nuk ka mënyrë tjetër për t’u siguruar që rezidentët mos të rrezikohen dhe të gëzojnë shëndet të plotë gjatë këtyre ditëve të rrezikut.

Që prej 20 marsit, lëvizja e qytetarëve shqiptarë për shkak të epidemisë së COVID-19 është kufizuar, ndërsa kryerja e shërbimeve lejohet vetëm përmes aplikimit për leje-dalje në platformën qeveritare “e-Albania”. Ndërkohë, të gjithë të moshuarit janë privuar nga liridalja. Kryeministri Edi Rama ka thënë se autoritetet shtetërore do kujdesen që t’ua çojnë personalisht furnizimet të moshuarve që jetojnë të vetëm.

“Disa nga rezidentët ndjehen të braktisur, pasi nuk u kanë ardhur për vizitë fëmijët, familjarë të ndryshëm apo dhe miqtë, pavarësisht që kjo situatë është shpjeguar dhe shpjegohet çdo ditë,” shprehet Tolaj, duke theksuar se gjendja psikologjike e banorëve të qendër është rënduar gjatë javëve të fundit.

Megjithatë, e mallëngjyer Mrika kujton se brezi i tyre ka kaluar kohë edhe më të vështira dhe nënvizon se janë të rinjtë ata që e kanë jetën përpara, prandaj duhet të kujdesen për veten.

“Vetmia ka qenë pjesë e pandarë e jetës sime…eh jemi kockë e fortë ne, do e kalojmë dhe këtë,” thotë mësuesja, ndërsa fshin lotët me duart që i dridhen.

Klaudia Tolaj – e cila gjithashtu është e izoluar së bashku me rezidentët thotë se stafi është duke punuar papushim, në mënyrë që kjo situatë të mos brendësohet si braktisje por si mbrojtje, duke i shpjeguar rezidentëve që izolimi është në të mirën e tyre, që ata të jenë sa më gjatë midis nesh.

Sipas Tolajt, një tjetër arsye që ndikon në gjendjen e tyre psikologjike është edhe fakti që ata janë të frikësuar, jo vetëm për veten e tyre, por edhe për shëndetin e familjarëve dhe të afërmve. Ata e dinë që jashtë ky virus ka shkaktuar një gjendje të rëndë dhe e kanë të vështirë që të rrinë të qetë.

“Çdo mëngjes më pyesin nëse kam komunikuar me fëmijët e tyre, nëse janë mirë me shëndet, shpesh herë bëjmë dhe telefonata me kamera që ato t’i shohin që fëmijët e tyre janë shëndosh e mirë me familjet e tyre,” tha Tolaj në lidhje me shqetësimet e të moshuarve.

Të moshuarit janë të lodhur me situatën e krijuar, pasi dhe pesha e viteve dhe vetmia ka pasur ndikimin e vet në gjendjen e tyre psikologjinë.

“Sa për mua, le të më marrë perëndia sa më shpejt…kujdes duhet të keni ju të rinjtë, ne boll jetuam,”thotë Drita, ish-këngëtare që nuk ka më të afërm të gjallë.

“Ç’të bëj më, unë nuk kam njeri, u bë kohë që të afërmit e mi janë larguar nga kjo jetë, tani pres të më vijë mua radha,” shtoi 86-vjeçarja.

Pavarësisht se në qendrën “Shtëpia e Dashurisë’ ndjehen të sigurt, të moshuarit nuk e fshehin ankthin që u ka krijuar përhapja e COVID-19.

“Ngarkohemi shumë kur dëgjojmë për virusin, apo se çfarë po bëhet në botë,” theksoi Drita. “Perëndia na ndihmoftë ta kalojmë dhe këtë,” shtoi ajo.

Luçia, 85-vjeç – e cila dikur punonte si kryemami në maternitet, shprehet se ajo ndjehet tepër e frikësuar nga virusi dhe se po mundohet t’i zbatojë rregullat me përpikmëri brenda ambienteve të qendrës.

“Duart po i lajmë çdo moment, ambientin na e dezinfektojnë gjithmonë, me maska na kanë pajisur,” shprehet ajo.

Duke uruar që izolimi të mbarojë sa më shpejt, Luçia shprehet se është e shqetësuar për vajzën e saj që banon në Itali, një nga vendet më të prekura nga pandemia e COVID-19 në Europë.

“Mendjen e kam vetëm tek vajza që e kam në Itali,” tha e shqetësuar ajo. “Ata thonë se janë mirë, po hajde ma mbush mua mendjen se janë me të vërtetë ashtu,” përfundoi Luçia./Birn

Check Also

Siguracionet, ligjet nuk mbrojnë konsumatorin kur kompanitë falimentojnë

Tregu shqiptar i sigurimeve është zgjeruar ndër vite, si në rastet kur kërkoi vitin e …

Kakofonia e ekspertizave mban pezull të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës

Ardit Dulemata i ka ende të freskëta kujtimet e mëngjesit të 26 nëntorit 2019, gati …

Mësimi online, vendim i trishtë që duhet shpjeguar

Vendimi për të kthyer mësimin online na shqetëson pa masë. Megjithëse mund ta rrokje me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *