COVID-19 redukton tregtinë e jashtme dhe deficitin tregtar

Volumi i përgjithshëm i tregtisë së jashtme të Shqipërisë pësoi një reduktim me afro një të katërtën gjatë muajit Mars 2020 si pasojë e pezullimit të aktivitetit ekonomik në vend të shkaktuar nga masat e distancimit social për të ndalur përhapjen e koronavirusit të ri.

Instituti i Statistikave bëri të ditur të premten se importet e Shqipërisë ranë në 42 miliardë lekë ose 25% më pak se sa Marsi i një viti më parë. Eksportet ranë në 18 miliardë lekë ose 36% më pak. Rënia e eksporteve u shkaktua para së gjithash nga pezullimi i një pjese të madhe të fabrikave të veshjeve dhe këpucëve, të cilat, ndonëse nuk janë ndaluar të punojnë nga qeveria, pushuan punën ose punuan me orar të reduktuar për shkak se kërkesa për produktet e tyre ra në mënyrë drastike. Industria e veshjeve dhe këpucëve, e cila punon me porosi nga vende të ndryshme europiane, kryesisht Itali, është aktori kryesor në eksportet e vendit tonë. Gjatë vitit 2019, Tekstilet dhe Këpucët realizuan eksporte me vlerë 118 miliardë lekë (afro 950 milionë euro) ose 40% të të gjitha eksporteve.

Rënie në eksporte u shënuan edhe në Materiale Ndërtimi e Metale dhe Minerale, Lëndë Djegëse dhe Energji Elektrike. Pothuajse i paprekur ishte eksporti i ushqimeve.

Rënia e eksporteve drejt Italisë ishte në masën 48%, duke krizën e një prej vendeve më të goditura nga pandemia e koronavirusit në botë. Italia është vendi që ka numrin e dytë më të lartë të infeksioneve në raport me popullsinë pas Spanjës dhe është vendi i parë që urdhëroi të gjithë popullsinë e vendit të mbyllej në shtëpi në Europë.

Importet e mallrave ranë gjithashtu gjatë muajit Mars por rënia ishte më e kufizuar se sa te eksportet. Më të goditurat ishin importet e mineraleve dhe energjisë, kryesisht naftë, për shkak se ndalimi i qarkullimit solli edhe reduktim të ndjeshëm të konsumit.

Por rënie drastike në importe u shënua edhe te grupi Makineri, Pajisje dhe Pjesë Këmbimi.

Ekonomia shqiptare pritet të kontraktohet me 5% gjatë vitit 2020 sipas vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pasuar nga një rritje në masën 8% vitin e ardhshëm.

Rënia e importeve në Mars duket se u reflektua edhe te rënia e të ardhurave buxhetore me 17%. Rënia më e vogël e të ardhurave buxhetore në krahasim me rënien aktivitetit ekonomik duket se reflekton një numër taksash dhe tatimesh që i nënshtrohen referencave fiskale ose janë mbi sasinë e importuar pavarësisht vlerës.

Reduktimi i njëhershëm i importeve dhe eksporteve nuk ka sjellë deri më tani ndonjë zgjerim të deficitit tregtar duke i mbajtur rreziqet për stabilitetin ekonomik të vendit të ulëta. Përkundrazi, gjatë muajit Mars u shënua një deficit tregtar 15% më i ulët.

Check Also

Shpërndarja e mandateve të deputetëve, Tirana i merr dy Dibrës dhe Gjirokastrës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur projektvendimin për shpërndarjen e mandateve në 12 qarqet e …

Përfundon faza e tretë e BKH-së

35 kandidatë dorëzojnë formularin e pasurisë Përfundon procesi i deklarimit të formularëve të pasurisë për …

Policët e policëve, pr/ligji shkrin SHÇBA, krijohet super-agjencia në dorë të Ministrit të Brendshëm

Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik projektligjin për krijimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *