Çfarë ofroi Qeveria për shqiptarët e goditur nga kriza

Rama njoftoi mbrëmjen e së Hënës të ashtuquajturën Paketë e Dytë që synon të lehtësojë pasojat e shkaktuara në ekonomi nga mbyllja e detyruar për shkak të pandemisë COVID-19. Sipas Ramës, në total 176 mijë individë pritet të përfitojnë shumën 40 mijë lekë që do të merret vetëm një herë.

Kostoja totale prej 7 miliardë lekësh ose 56 milionë eurosh është e barabartë me 0.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe i shtohet paketës së mëparshme, e cila në total ishte 23 miliardë lekë ose 1.4% e PBB-së.

Rama e dha lajmin për paketën e dytë në përfundim të një fjalimi 30 minutësh, në të cilin bëri komente të ndryshme, me raste duke kërkuar ndjesë për masat, e më tutje duke shprehur solidaritet shpirtëror me vuajtjet e një pjese të shqiptarëve.

Ai shau opozitën si jokonstruktive dhe i bëri ftesë asaj ta mbështeste qeverinë në përpjekjet e saj për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Ndjej deri në palcë dhimbjen e secilit prej ju, dhimbjen e prinderve që nuk sjell dot paratë në shtëpi për shkak se është mbyllur puna,” deklaroi Rama. Ai përdori lekë të reja, dollarë dhe lekë të vjetra për të forcuar mesazhin e ndihmës.

“Njëqindmijë punonjës të biznesit të vogël që nuk përfituan nga paketa e parë do t’u japim 40 milionë dollarë, 4 miliardë lekë ku secili do të marrë 400 mijë lekë ose 400 dollarë,” deklaroi Rama.

Kryeministri pranoi gjithashtu përmasat tragjike që ka pasur bllokimi ekonomik sa i përket punësimit. Ai tha se 66 mijë shqiptarë, shifër kjo e barabartë me mbi 12% të të gjithë të punësuarve, janë pushuar nga puna apo pezulluar nga bizneset ku punojnë.

Pagesat një herë me para të thata janë një praktikë e zbatuar deri tani në një numër të madh vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pagesë duket se vjen pasi plani i parë i Ramës, ai i urdhërimit të bizneseve që të merrnin kredi për të paguar punonjësit e pezulluar, duket se nuk ka funksionuar.

Ndonëse në total dy paketat ekonomike të qeverisë arrijnë në 30 miliardë lekë ose 1.8% e PBB-së, nuk është e qartë se sa prej këtyre parave janë bërë efektive në ekonomi dhe sa, jo. Pjesa kryesore, garancia sovrane për kreditë që biznesi i madh supozohet se do të duhet të merrte në bankat e nivelit të dytë për të shlyer pagat e punonjësve, nuk është bërë ende efektive dhe nuk ka ende asnjë përfitues. Kjo ishte e barabartë me 11 miliardë lekë ose më shumë se një e treta e të gjithë paketës.

Check Also

Rama: OSBE, mision i suksesshëm, tani duam Këshillin e Sigurimit në OKB

Shqipëria e vlerëson të suksesshme Presidencën e OSBE-së, pavarësisht vështirësive që dolën përgjatë këtij viti …

18 të vdekur, 801 raste të reja me Covid-19 në 24 orë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët e fundit kanë ndërruar …

SPAK dërgon për gjykim çështjen ndaj ish-drejtorit të Tatimeve Korçë

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, njoftoi të premten se kishte dërguar për gjykim në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *