Bashkia e Tiranës tërhiqet nga kullat, do ndërtojë me fonde publike Teatrin e ri Kombëtar

Bashkia e Tiranës bëri me dije se projekti i Teatrit të ri Kombëtar do të ndërtohet si një investim me fonde publike. Në një deklaratë për shtyp, Bashkia e Tiranës sqaroi sot se vendimi për ta ndërtuar godinën e re me fonde publike vjen në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili plotëson kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale.

Bashkia e Tiranës njoftoi se arsyet e mos rënies dakord me palën private, që ishte ofruar për ndërtimin e teatrit të ri, lidhen me pamundësinë e kompanisë për ta realizuar projektin në një kohë të shpejtë dhe sipas të gjitha kërkesave teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komisionin e negocimit.

Deklarata e plotë

Në mbështetje të ligjit nr. 37/2018 dhe vendimit nr. 352, datë 04.04.2019 të Këshillit të Ministrave, pranë Bashkisë së Tiranës u ngrit komisioni për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, në përbërje të të cilit ishte edhe përfaqësia e artistëve.

Komisioni i vlerësimit dhe negocimit nisi punën me hartimin e thirrjes së hapur për palët private të interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurruese dhe paraqitjen e një oferte financiare për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës urbane. Thirrja e hapur u publikua në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, si dhe u dërgua për botim në buletinin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni i vlerësimit, në përputhje me parashikimet ligjore dhe nën ekspertizën konsulentit të përzgjedhur për të ndihmuar komisionin, nisi punën me negocimin e ofertës së palës private të interesuar.

Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private. Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor.

Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik.

Për këto arsye, Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike.

Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë.

Si lindi projekti për Teatrin e ri dhe kullat

Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në fillim të këtij vitit 2018 kur artistëve iu prezantua plani  i Teatrit të ri Kombëtar por që pas tij do të ishin edhe të paktën katër kulla. Kjo do të sillte përplasje të ashpër madje edhe artistët do të ndaheshin në dy kampe ndërkohë që varianti i kullave përfundoi në shtatë.

Përmasat publike që mori shqetësimi lidhur me Teatrin Kombëtar bënë që Kryeministri Edi Rama të deklaronte se nuk do të kishte kulla por edhe nëse do të kishte kjo nuk ishte diçka e keqe. Pas reagimit të shoqërisë civile dhe rezistencës së gjatë, me një deklaratë Bashkimi Europian do të përçonte mesazhin se raste të projekteve të tilla duhet që ti nënshtroheshin transparencës së plotë dhe një gare të ndershme çka bëri që qeveria të tërhiqej nga nxitimi dhe të miratonte një komision të posaçëm. Më herët subjekti privat i lakuar ishte Fusha sh.p.k teksa me hapjen e garës rruga ishte e lirë për të gjithë subjektet që përmbushin kushtet.

Check Also

Siguracionet, ligjet nuk mbrojnë konsumatorin kur kompanitë falimentojnë

Tregu shqiptar i sigurimeve është zgjeruar ndër vite, si në rastet kur kërkoi vitin e …

Kakofonia e ekspertizave mban pezull të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës

Ardit Dulemata i ka ende të freskëta kujtimet e mëngjesit të 26 nëntorit 2019, gati …

Mësimi online, vendim i trishtë që duhet shpjeguar

Vendimi për të kthyer mësimin online na shqetëson pa masë. Megjithëse mund ta rrokje me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *