Antiterrori heton teoritë e komplotit për përhapje paniku

Duke supozuar se disa statuse në Facebook që duket se i përkasin rretheve të teoricienëve të komploteve, janë hedhur me qëllimin për të shkaktuar panik mes popullsisë, Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka referuar në prokurori një material duke sugjeruar se kemi të bëjmë me një plan tinzar për të përhapur panik mes popullsisë së gjerë.

Një burim zyrtar pranë kësaj drejtorie tha të mërkurën se, kanë referuar material kallëzues në prokurori ndaj disa personave që dyshohen se për përhapje të panikut nëpërmjet statuseve në rrjetet sociale. Burimi nuk pranoi të komentojë për përmbajtjen e komenteve por konfirmoi shpjegimet e dhëna nga gazetarja Anila Hoxha për Top Channel.

Hoxha tha se Antiterrori ka ngritur dyshime se 10 persona kanë diskutuar dhe kanë hedhur qëllimisht statuse në llogaritë e tyre si edhe video në YouTube, me anë të të cilave aludojnë se Covid-19 është një armë biologjike dhe se ka një plan të errët për të varfëruar popullsinë, për të shkaktuar trazira sociale dhe për të përfituar ekonomikisht përmes blerjes së pronave të të varfërve përkundrejt çmimeve të lira.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Arben Kraja, tha se deri mesditën e së mërkurës, një material i tillë nuk kishte mbërritur ende në këtë njësi. Po kështu, edhe koordinatorja për të drejtën e informimit pranë Prokurorisë së Tiranës, Lorena Salillari pohoi gjatë një komunikimi telefonik se, nuk kishte mbërritur ende një referim i tillë nga Antiterrori.

Nëntorin e kaluar, njësia e antiterrorist në Policinë e Shtetit hetoi dy administratorë të faqes Jeta Osh Qef për përhapje paniku ndërsa policia arrestoi një vajzë 25 vjeçare nga Durrësi për të njëjtën akuzë. Të dyja çështjet nuk janë dërguar ende në gjykatë. Organizatat për të drejtat e njeriut dhe aktivistët i konsideruan në atë kohë këto masa disproporcionale ndërsa vunë re se rrjedha e ngjarjeve sugjeron sikur policia frymëzohet nga axhenda politike e kryeministrit Edi Rama për të ndërmarrë veprime që bien ndesh me shtetin e së drejtës.

Të Martën, dhjetë organizata ndërkombëtare të lirisë së shprehjes i dërguan një letër publike Këshillit të Europës duke kërkuar ndalimin e praktikave të disa vendeve anëtare që duket se po shfrytëzojnë frikën nga pandemia COVID-19 për të gërryer liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Teoritë e komplotit, të cilat sugjerojnë një axhendë të fshehtë të dikujt të fuqishëm si shpjegim për një ngjarje apo fenomen, janë të rëndomta në shumë vende të botës. Legjislacionet e vendeve demokratike në përgjithësi priren të luftojnë probleme të tilla me më shumë raportime faktuale dhe jo me masa represive, të cilat mund të kenë efekt frikësues për lirinë e shprehjes së gazetarëve.

Check Also

Radhë edhe te Morgu i Tiranës

Kjo ka qenë situata në morgun e Tiranës këtë të diel. “Doli një polic atje dhe …

Fyerje ndaj Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Qytetarët kërkojnë heqjen e dy shtatoreve në Prizren

Shumë shqiptarë të Kosovës kanë mbetur të pakënaqur nga dy shtatoret e përuruara një ditë …

Nisma “Thurje” shndërrohet në parti, pjesë edhe Rudina Hajdari

Drejtuesit e Nismës “Thurje” komunikuan zyrtarisht vendimin për t’u shndërruar në një forcë politike që …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *