A duhet dërguar Ridvan Bode në SPAK, për koncesionet e markimit të karburanteve dhe Rapiscan?!

Gjatë 30 viteve tranzicion të tejzgjatur në Shqipëri, janë regjistruar një sërë skandalesh me kosto miliona euro për qytetarët, skandale që mbajnë kryesisht vulën e qeverive. Por pavarësisht daljes së fakteve tronditëse, apo nisjes së hetimeve në raste sporadike, askush nuk është penalizuar për shkeljet. Duket se ngritja e SPAK, e cila në fokus ka edhe politikanët, ka rizgjuar shpresën se më në fund do të kemi drejtësi.

Veprat më të mëdha të korrupsionit në Shqipëri janë realizuar përmes koncesioneve, për të cilat ka patur akuza të vazhdueshme si gjatë qeverisjes së PD, ashtu edhe gjatë qeverisë aktuale. Por, tashmë duket se diçka po lëviz. SPAK ka nisur hetimet për dy nga koncesionet më të përfolura siç janë ai i “Check up” dhe i ‘Sterilizimit’, të dyja të firmosura nga qeveria e PS. PD ka kallëzuar në SPAK të paktën dhjetë persona për “Check up’, mes të cilëve ish Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it.

Por, nga ana tjetër, është surprizues fakti se nuk ka asnjë hetim të thelluar mbi koncesionet abuzive të firmosura gjatë qeverisjes së PD, të cilat vazhdojnë akoma të zhvasin xhepat e qytetarëve shqiptarë.

I tillë është edhe koncesioni i markimit të karburanteve dhe ai i skanimit të kontenierëve, që bëhej përmes firmës “Rapiscan”, skandal për të cilin ka nisur një hetim edhe në SHBA. Të dy koncesionet u firmosen gjatë qeverisë Berisha dhe mbajnë firmën e ish-ministrit, Ridvan Bode, i cili, çuditërisht, me ‘bekimin’ e qeverisë aktuale është zgjedhur në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Më poshtë do të tregojmë afarat miliona euro me këto dy koncesione, njëri prej të cilëve po hetohet nga autoritetet e SHBA.

Skandali korruptiv “Rapiscan” në Shqipëri, SHBA hap hetimet ndaj firmës OSIS

Koncesioni për skanimin e kontenierëve me vlerë 250 milionë dollarë, i firmosur gjatë qeverisë Berisha, është një prej më të përfolurve për korrupsion. Për këtë koncesion ka nisur edhe një hetim në SHBA.

Kompania amerikane që ka më shumë se gjysmën e aksioneve të koncesionit Rapiscan është akuzuar se ka paguar ryshfet për të siguruar kontratën. Rapiscan Systems Inc. me bazë në Kaliforni dhe kompania bijë e regjistruar në Shqipëri, S2 Albania fituan një kontratë koncesionare 15-vjeçare për skanimin e kontenierëve nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2011. Kontrata u miratua në Parlament dy vjet më vonë dhe hyri në fuqi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Carson Block, themelues i “Muddy waters Research” pati deklaruar në një intervistë për “Bloomberg”, se kompania OSI Systems që ka 51 % të aksioneve ka paguar një ryshfet që arrinte pothuajse gjysmën e vlerës së kontratës që arrin në mbi 100 mln euro.

Agjencia e pavarur federale amerikane SEC, e cila mbron investitorët amerikanë nga mashtrimet që mund të bëhen në tregun e aksioneve në bursë, ka nisur hetimin ndaj kompanisë Rapiscan, pasi dyshohet se ka mashtruar në bursë për vlerën e investimit në Shqipëri. Është provuar se disa muaj pas lidhjes së kontratës, në një projekt që konsiderohej 250 milionë dollarë, kompania shiti 49 për qind të aksioneve për vetëm 4.5 dollarë.

Qeveria “Rama 1” kontraktoi studion ligjore Omnia Strategy të Cherie Blair për të përgatitur mbrojtjen kundër Rapiscan, por pasi pagoi 645 mijë euro në total, pranoi këshillën e zonjës Blair për ta zgjidhur me marrëveshje konfliktin.

Pas kësaj qeveria rinegocioi kontratën në qershor të 2015, duke ulur vlerën e kontratës nga 316 milionë në 210 milionë euro. Kompania Rapiscan fitonte përmes kontratës së mëparshme 39 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa me marrëveshjen e re përfiton 5 euro për çdo deklaratë doganore deri në 1 mijë euro dhe përtej kësaj vlere, taksa shkon 22 euro për deklaratë doganore. Kontrata koncesionare Rapiscan pritet të përfundojë në 2026.

Skandali me koncesionit e markimit të karburanteve

Një tjetër koncesion abuziv, është ai i markimit të karburanteve. Koncesioni i dhënë nga qeveria Berisha për markimin e karburanteve ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e koncesioneve. Një relacion konfidencial i hartuar nga Ministria e Financave ne gusht të vitit 2015, gjeti një sërë shkeljesh, të cilat nisin që nga momenti, kur në qeverinë e shkuar ka ardhur një ofertë e pa kërkuar për të marrë monopolin e markimit e deri në fitimin e tenderit nga “Global Fluid Internacional”. Pikësëpari raporti nxjerr si antikushtetues faktin që janë shkelur parimet e barazisë dhe transparencës. Tenderi është zhvilluar me një ofertë të vetme dhe në terr informativ për publikun. Një tjetër pikë e fortë e anashkaluar, është fakti që ligji për koncesionet nuk lejon kontrata të tilla në fushën e ngjyrosjes së naftës, pasi vlera e investimit është minimale dhe se është një shërbim që mund ta bëjë shteti. Rregullat e vendosura në atë kohë nga Ministria e Financave vinin si pikë kryesore se tarifa e markimit nuk duhet të ishte më shumë se 200 lekë për 1000 litra, ndërsa GFI fitoi këtë tender me ofertë tjetër. Fatura që do të paguante biznesi për shërbimin e saj (dhe qe paguan dhe sot) është 614 lekë për 1000 litra.

Ndërkohë më vonë u publikua një skandal tjetër, pasi u zbulua se kompania  GFI, figuronte në dosjet e skandalit financiar të “Panama Papers”, ndërkohë qe ishte një nga aksionerët kryesorë të monopolit të markimit të karburanteve në Shqipëri. Ajo ishte regjistruar në vitin  2013 në ishujt  Anguilla. Në prill të po të njëjtit vit GFI u shpall fituese e koncesionit të markimit të karburanteve në bashkëpunim me shoqërinë “Petroleum Consulting Partners”. Kjo e fundit ishte e regjistruar në Zvicër, me pronare që nuk dihen. Kur fituan koncesionin GFI kishte 75 % të aksioneve, ndërsa Petroleum Consulting Partners 25 %. Dy vjet më vonë raportet ndryshojnë tërësisht., pasi GFI i shet thuajse të gjitha aksionet tek “Petroleum Consulting Partners”. GFI mban vetëm 0.07 % të aksioneve, ndërsa “Petroleum Consulting Parners” merr 99.93 % të tyre. Në dhjetor të 2015 -tës kompania koncesionare për markimin e karburantit në Shqipëri ndërpreu punën. Ishte GFI që e bëri njoftimin, edhe pse partner në minorance të dukshme në këtë konceison. Ajo shpjegoi se ndërprerja erdhi si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga Minsitria e Financave. Por ky ngërç u kalua në dialog me qeverinë dhe kompania rifilloi punën.

Ndaj pyetja që shtrohet natyrshëm është, a duhet hetuar nga SPAK, Ridvan Bode, ashtu siç po hetohen ministrat dhe ish-ministrat e PS?

Check Also

8 të vdekur dhe 644 të infektuar të rinj në 24 orë

Në 24 orët e fundit është shënuar një ulje e rasteve të vdekjeve dhe të …

Gjykata e Posaçme lehtëson masën e sigurisë për gjyqtaren Mimoza Margjeka

Gjykata e Posaçme e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën lehtësimin …

Raporti i EuroBarometer: 71 përqind e shqiptarëve e konsiderojnë shumë keq ekonominë në vend

71 përqind e shqiptarëve e konsiderojnë gjendjen ekonomike në vend si shumë të keqe, sipas …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *