1.5 milionë shqiptarë jashtë, vitet e fundit u rrit emigracioni i parregullt

Stoku i emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë përllogaritet që ka tejkaluar numrin prej 1.5 milionë. E dhënë kjo e bërë publike në fletoren zyratre në Profilin e Zgjeruar Kombëtar të Migracionit për vitet 2015-2018.

Duke marrë për bazë popullsinë sipas regjistrit civil më 1 janar 2018, e cila përfshin të gjithë shtetasit shqiptarë pavarësisht vendbanimit të tyre sipas moshës dhe gjinisë, dhe duke i zbritur popullsinë banuese në vend (personat që plotësojnë kushtin e banorit të zakonshëm që jeton në vend për 12 muaj ose më shumë), është evidentuar se jashtë territorit të Shqipërisë ka një numër prej 1 584 137 personash gjithsej, nga të cilët 828 530 janë meshkuj dhe 755 607 femra.

Një nga metodat e tërthorta që INSTAT-i përdor për të nxjerrë numrin e përgjithshëm të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, si dhe strukturën e tyre moshore e gjinore, është krahasimi i dy popullsive, asaj banuese dhe asaj të regjistrit civil.

Në mungesë të treguesve përfaqësues për gjithë popullatën, studimet e kryera nga shoqëria civile hedhin dritë mbi migrimin potencial të shtetasve shqiptarë, që, sipas tyre, vijon të mbetet e lartë, me rreth 52%, skruhet në përmbledhjen e dokumentit.

Migracioni, faktor kyç i plakjes së popullsisë

Është e rëndësishme që potenciali migrator të studiohet në vijimësi. Lëvizjet migratore vazhdojnë të ndikojnë në pakësimin dhe plakjen e popullsisë. Këtë e dëshmon edhe periudha 2015– 2018, me një rënie të popullsisë prej rreth 14 000 banorësh, ndërkohë që, gjatë katër viteve të fundit, norma e rritjes (uljes) së popullsisë është prej -0.2 % në vit. Rrjedhimisht, pritet që migracioni të ketë gjithmonë e më shumë ndikim në tregun e brendshëm të punës (humbjen e aftësive dhe trurit, sfidat e mundshme në sistemin e sigurimeve shoqërore/pensioneve etj.). Po kështu, migracioni ka filluar të ndikojë edhe në orientimin e arsimit dhe formimit profesional për disa grup-mosha apo kategori të popullatës (siç janë migrantët e kthyer që synojnë sërish emigrimin e rregullt për motive punësimi në sektorë specifikë), si dhe në mësimin e gjuhëve të huaja (si p.sh., gjermanishtja për punonjësit e mjekësisë).

Vitet e fundit faktor emigracioni i parregullt

Ndër të tjera në fletoren zyrtare theksohet se për sa i përket migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë për periudhën 2015–2018, lëvizjet migratore janë drejtuar kryesisht drejt vendeve të BE-së dhe kanë si karakteristikë keqpërdorimin e së drejtës së lëvizjes së lirë në Zonën Schengen dhe kërkimin e azilit në këto vende për motive ekonomike.

Sidoqoftë, kjo prirje migratore ka shënuar rënie gjatë periudhës 2015–2018 (nga 67 950 kërkesa për azil në vitin 2015, në 22 455 në vitin 2018). Kjo ka ardhur si rrjedhojë e trajtimit me përparësi të kërkesave për punësim në vend, zgjidhjes në kohë të problemeve sociale të shtresave në nevojë të popullsisë, si dhe ndalimit të përkohshëm të daljes nga territori që autoritetet shqiptare të kufirit u kanë bërë shtetasve që nuk plotësojnë kushtet për lëvizjen e lirë në zonën Schengen (nga 14 232 në 2015, në 20 255 në vitin 2018).

Ndikim ka pasur, gjithashtu, refuzimi në rritje i kërkesave për azil nga vendet pritëse dhe kthimet në Shqipëri për qëndrim të parregullt në vendet e BE-së (2 535 kthime të detyruara për vitin 2015; 2 090 në vitin 2016; 2 265 në vitin 2017 dhe 1 790 në vitin 2018).

Një prirje tjetër që vërehet është ajo e migrimit të të miturve të pashoqëruar, kryesisht drejt vendeve, si: Italia, Franca, Suedia, Mbretëria e Bashkuar etj. Sidoqoftë, numri i këtyre të miturve, sidomos atyre që kërkojnë azil në vendet e BE-së, ka ardhur në rënie në periudhën 2015–2018 (nga 1 065 kërkesa për azil në vitin 2015, në 485 në vitin 2018). Pavarësisht kësaj, ky mbetet një fenomen shqetësues.

 

Check Also

Zelli i tepërt i socialistëve kuksianë vë në siklet kryeministrin Rama

Kryeministri Edi Rama duket se u vu në siklet të premten para opinionit publik pasi …

Kukësi i heq titullin “Nder i Qarkut” publicistit kosovar Veton Surroi

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë …

“Lëvizni me urgjencë”, Kim flet për mbledhjen e KED dhe përsërit thirrjen

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ripërsërit edhe njëherë thirrjen për politikën shqiptare se …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *